Suksesi i “Vajzës Basketboll”

Qian HongyaYunnan, 08 mars 2016 – Vajza me emrin, Qian Hongya, është me origjinë nga Yunnan e Kinës. Nga personat që e njohin dhe e rrethojnë, ajo quhet “Basketball Girl” (Vajza Basketboll). Kjo, sepse kur ajo ishte 4-vjeçe, humbi këmbët në një aksident trafiku. Zëvendësuesi i vetëm për këmbët e saja, që familja mund t’i bënte, ishte ngjitja e një topi basketbolli.
Pavarësisht gjendjes fizike, sot Qian është një notare profesioniste në Kinë. Gjithashtu, ajo është bërë edhe një njeri simbol. Për historinë e saj raportohet se rrjedh nga një familje, e cila kultivonte dhe prodhonte mëndafsh, me një çmim shumë të ulët. Dhe, e vetmja zgjidhje që gjeti gjyshi i saj për ta ndihmuar vogëlushen, ishte vendosja e një topi basketbolli, në pjesën e këmbëve.
Në vitin 2005, historia e pabesueshme e Qian, tërhoqi vëmendjen e medieve dhe kësisoj vogëlushja arriti që të përfitonte financime, duke mbledhur një shumë të konsiderueshme parash për montimin e këmbëve artificiale. Nga viti 2007, Qian arriti të paguante studimet, falë donacioneve. Për të ndërtuar të ardhmen e saj, vajza vendosi që të merrej me sport. U inkurajua që të merrej me not dhe të regjistrohej në një ekip lokal që përgatiste personat me aftësi të kufizuara.
Fillimi ishte i vështirë për vajzën sepse mungesa e këmbëve bënte që t’i merrej fryma nën ujë. Por, pavarësisht kësaj, vajza ia doli që të fitonte edhe një sërë çmimesh. Në vitin 2009, vajza fiton një medalje të arit dhe dy të argjendta në “National Paralympics Swimming Competition”. Edhe sot, ajo vazhdon të fitojë medalje, në çdo garë që zhvillohet.

• Përgatiti: Kristina JOSA

Leave a Reply