Nga tymi i ngrohtores, helmohen nxënësit në Bresanë!

shkolla bresaneDragash, 08 mars 2016 – Nxënësit e një klase të shkollës “28 Nëntori” në Bresanë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi është konstatuar se janë helmuar nga tymi i ngrohtores së shkollës. Lajmin e ka bërë të ditur për Radio Sharrin, kryetari i LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, i cili tha se më e keqja e kësaj pune ishte fakti se mjeku nuk ndodhej në QMF-në e fshatit, prandaj është dashur që të intervenonin mjekët nga QKMF-ja e Dragashit. “Nxënësit kanë kërkuar ndihmë në QMF-në e fshatit por, edhe pse kjo Qendër ka mjekun e vet të rregullt, ai nuk gjendej në vendin e tij të punës dhe, as nuk kishte zëvendësues”, i tha Radio Sharrit kryetari i LDK-së, parti kjo opozitare në Dragash, Selim Kryeziu.
I kontaktuar nga Radio Sharri, drejtori komunal i Arsimit në Dragash, Hajri Ramadani, tha se gjendja nuk është aq serioze dhe gjithçka ka kaluar mirë. “Duke e parë motin e mirë, nxënësit e një klase i kanë hapur dritaret dhe, në klasën e tyre është futur tymi i ngrohtores. Që të gjithë nxënësit janë trajtuar nga mjekët dhe aktualisht gjendja i takon së kaluarës. Nxënësit janë shëndoshë e mirë”, tha Ramadani.

Leave a Reply