Stop sekserëve dhe zhvatësve të PDK-së!

Stop sekserëve dhe zhvatësve të PDK-së!

Shkruan: Msc. Hasim KRYEZIU


• Para disa ditësh fillova të shkruaj për disa fenomene negative, që sot e disa vite po e përcjellin PDK-në në Dragash. Për çudi pranova shumë SMS private nga miq, shok dhe aktivistë të PDK-së, disa nga të cilët solidarizohen me gjendjen aktuale që kam paraqitur, disa më thoshin se jeni vonuar dhe se është dashur më herët të shkruani për ta shpëtuar PDK-në nga sekserët dhe zhvatësit e pushtetit që dita ditës po e shkatërrojnë partinë dhe, për çudi, disa të tjerë (parashutistë apo edhe të vetëquajtur aktivistë të Partisë), kishin deklaruar se të gjitha këto i kam për interesa personale.
Ju bëjë me dije këtyre të fundit se, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh asnjëherë dhe se dikush nga ta mund edhe ta mohojë se isha themelues i RDK-së në Dragash, bashkëthemelues i PDK-së, sekretar dhe kryetar i RDK-së, anëtar i Këshillit drejtues në qendër, delegat i kuvendeve zgjedhore në nivel qendror etj. Por, këtyre adoleshentëve dhe ardhacakëve politikë ua bëj me dije se i kam asetet e mia në PDK, kam djersën dhe sakrificat e asaj kohe, organizimet dhe aktivitetet politike që sot, shumë nga ta, e gëzojnë dhe e hanë bukën e përtypur.
Llogaritni si të doni, vlerësoni si të doni por, mos harroni se unë nuk do të ndalem se shkruari për një PDK më ndryshe, për një PDK ashtu siç ishte dikur dhe siç e meriton. Fenomenet negative duhet të luftohen, grupet e interesit, sekserët politikë dhe zhvatësit e pushtetit duhet të ndalen dhe t’i thuhet STOP njëherë e përgjithmonë.

Identifikimi i PDK-së në Dragash, me njerëz të gabuar!

Më ka rastisur të bisedoja me javë dhe muaj të tërë me njerëz të shumtë që punojnë në institucione komunale dhe jasht saj në Dragash. Pas shumë bisedash dhe diskutimesh mësova se si, të emëruarit politikë nga sekserët politikë të tyre, po menaxhojnë me dikasteret në mënyrë “profesionale”, duke u munduar që nëpër oda dhe kafene të flasin dhe ta tregojnë “profesionalizmin” e tyre, me theks të veçantë, t’i sulmojnë pararendësit e tyre për mënyrën e menaxhimit të mëparshëm. U habita kur dëgjova se si po flasin me njerëz, brenda dhe jashtë institucioneve, për keqmenaxhim dhe zhvatje të pushtetit nga pararendësit e tyre. Njëri nga ta kishte shkuar aq larg, sa që kishte deklaruar se si me dhjetëra vendime ishin përmirësuar apo ishin modifikuar, me të vetmin qëllim se mos po i humbin zgjedhjet dhe, po e merr dhuna dhenë, para fushatës së fundit zgjedhore.
Pyes… Kujt po i shkon përshtati kjo formë dhe kjo praktikë? Ndoshta, sekserëve politikë, njerëzve të interesit për zhvatje të pushtetit apo? A mund të identifikohen me PDK-në këta njerëz? A po i ndihmojnë PDK-së këta menaxherë, që në zgjedhjet e ardhshme me dalë në Opozitë?
Ju bëjmë me dije se nuk do t’ju zgjasë shumë. Ka ende njerëz të sinqertë që me vite të tëra kontribuuan dhe dhanë gjithçka nga vetja, që PDK të rritet, të strukturohet dhe të dalë forca e parë politike në Dragash. Ndaluni dhe mos vazhdoni me këtë ritëm. Mos tentoni ta dëmtoni imazhin e PDK-së.

(Autori është anëtar i PDK-së dhe ka ushtruar disa funksione në këtë parti, që nga themelimi i sajë. Aktualisht punon si udhëheqës i Sektorit për Infrastrukturë pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim, nuk paraqesin domosdoshmërish edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)