Përmes Facebookut akuzohet OJQ “Thesari” – Reagon, Demir Reshiti!

Përmes Facebookut akuzohet OJQ “Thesari” – Reagon, Demir Reshiti!

Dragash, 14 gusht 2018 – Në rrjetet sociale, saktësisht në disa faqe anonime në Facebook, është lansuar një informacion, ku në shënjestër është vënë OJQ “Thesari” nga Bresana, e cila drejtohet nga Demir Reshiti.
Fillimisht faqja “Opoja Inffo” ka shkruar se, për turneun e futbollit që u organizua gjatë fundjavës që lamë pas në Bresanë, me moton “Afrojmë diasporën përmes futbollit”, OJQ “Thesari” ka marrë fonde, mbi dy mijë euro, e që realisht mundë të jenë shpenzuar, jo më shumë se 100 euro. “Opoja Inffo ka siguruar pasqyrën financiare, ku OJQ ‘Thesari’ nga Dragashi ka organizuar turnir futbolli në Bresanë e që për këtë organizim merr financa nga Ministria e Diasporës (1000 euro) dhe nga Komuna e Dragashit (980 euro). Gjithsej 1.980 euro. Vlerësojeni se sa mundë të kushtojë ky turnir futbolli, ndoshta as 100 euro, pasi që stadiumi ishte pa pagesë, sigurimi (policia) pa pagesë, ndriçimi pa pagesë, veshjet pa pagesë, kujdestaria mjekësore pa pagesë dhe asnjë punëtorë nuk është angazhuar me pagesë. Ajo që ka siguruar kjo OJQ janë dy kupa, që kushtojnë nga 15 euro, 10 medalje që kushtojnë 50 euro dhe 10 mirënjohje që kushtojnë 10 euro”, thuhet mes tjerash në denoncimin e kësaj faqeje facebook-u, që është transmetuar edhe nga faqe të tjera si kjo, të cilave nuk iu dihen menaxhuesit.
I kontaktuar nga redaksia jonë, drejtuesi i kësaj OJQ-je, Demir Reshiti, ka thënë se do ta denoncojë autorin e këtij postimi, pasi, siç thotë, asgjë reale nuk ka këtu. “Tabelat që janë prezantuar në atë faqe facebook-u nuk kanë të bëjnë fare me turneun e këtij viti. Ato tabela janë të vitit 2017, ku fondet e përmendura kanë të bëjnë me organizimin e manifestimit në Zgatar. Pra, këto janë dezinformata, për të cilat do t’i drejtohem gjykatës. Unë kam angazhuar avokat dhe do të inicioj padi për shpifje ndaj faqeve (Opoja inffo) dhe (Opoja Gora), dy profile këto që nuk po dihet se kush fshihet pas tyre”, ka thënë Reshiti, duke sqaruar për redaksinë tonë se turniri në fjalë është mbështetur, vetëm nga Drejtoria komunale për Kulturë, Rini e Sport në Dragash, me një shifër simbolike, trefish më e ulët se ajo që e kanë publikuar këto faqe facebook-u.