Dragash, 24 maj 2014 – Iniciativa e organizatës Qendra për Integrim dhe Zhvillim në Dragash (CIDD), me moton “Ta pastrojmë Dragashin – Ambienti ynë i pastër, shëndeti ynë i plotë”, ka hasur në mirëkuptimin e gjerë tek popullata dhe institucionet e kësaj komune.
Sot, kur në gjithë Kosovën u organizua aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, kësaj organizate joqeveritare i janë bashkuar shumë qytetarë dhe zyrtarë institucionesh, në aksionin “Ta pastrojmë Dragashin”. Aksioni i sotëm ka rezultuar me pastrimin e rrugës kryesore, Brezne – Dragash, me gjatësi rreth 10 kilometra, si dhe me pastrimin e qytezës së Dragashit. Sipas organizatorëve të këtij aksioni, shumë vullnetarë kanë marrë pjesë nga shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve lokale, FSK-ja, Njësia e Zjarrfikësve në Dragash, Policia, si nxënësit e dy klasave të shkollës së fshatit Blaç. “Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë aksioni kanë dhënë Forcat e Sigurisë së Kosovës, me makineri dhe personel, duke na u bashkuar që në mëngjes. Ndërkaq, për sigurinë në trafik janë përkujdesur pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, tha për Radio SHARRI-n drejtori ekzekutiv i CIDD-së, Mervan Zejnullahu, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në aksion, veçmas institucionet.
Organizimi i këtij aksioni është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportëve, gjegjësisht Departamenti për Rini dhe, sipas menaxherit të projekteve në CIDD, Mahir Dautit, aksioni i sotëm ishte më shumë si një simbolikë për vetëdijesimin e popullatës së komunës së Dragashit. “Nuk themi se me këtë aksion kemi bërë vetëm pastrim. Por, aksioni i sotëm përçon porosinë vetëdijesuese tek banorët që ta trajtojnë atë në mënyrën më të ndershme dhe të jenë sa më miqësorë më ambientin. Vetëm kështu do ta ruajmë shëndetin e plotë të banorëve, ashtu siç është edhe simbolika e këtij aksioni”, tha Dauti.
OJQ “CIDD” ka disa ditë që ka filluar aktivitetin e pastrimit të lumenjve dhe rrugëve në komunën e Dragashit. Ditë më parë, kjo organizatë ka pastruar lumin kryesor të fshatit Blaç, i cili rrjedhë në drejtim të Dragashit.