Samuel Zhbogar kërkon edhe pak durim nga kosovarët!

samuel zbogar evropaPrishtinë, 09 maj 2014 – Në Ditën e Evropës, e cila në Kosovë ishte ditë pushimi, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ka kërkuar durim nga qytetarët e Kosovës, në pritjen për liberalizimin e vizave.
Ai tha sot se, në prag të stinës së verës do të ketë edhe një raport, në të cilin do të vlerësohet se çka është arritur në Kosovë dhe çka duhet të bëj Kosova në këtë drejtim. “Shohim çdo ditë një përkushtim të Kosovës drejt kësaj rruge. Unë konsideroj se Kosova ka shënuar progres në rrugëtimin drejt Evropës. Së fundi kanë përfunduar negociatat për MSA-në (Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim) dhe në procesin e vizave mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara. Jemi në proces të evoluimit për të parë, nëse Kosova është gati që t’i bashkohet lëvizjes pa viza. Do të ketë një raport, para verës, i cili do të japë një vlerësim se çfarë është arritur dhe çfarë hapash duhen bërë në mënyrë që Komisioni t’iu rekomandoj vendeve anëtare që të hapin kufijtë për Kosovën. E kuptoj që ka qenë një proces i gjatë, prandaj iu kërkoj qytetarëve kosovarë që të kenë edhe pak durim, pasi ne po bëjmë hapa të rëndësishëm”, ka thënë përfaqësuesi evropian në vendin tonë, Samuel Zhbogar.