Muja nuk jep dorëheqje – Pret vendimin e Gjykatës së Apelit!

ramadan muja gjykimiPrizren, 14 mars 2014 – Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, pas vendimit të djeshëm të gjykatës, sot është deklaruar publikisht se nuk do të japë dorëheqje nga ky post. Ai tha se ndihet i pafajshëm dhe se nuk do të veprojë assesi ndryshe, përderisa nuk do ta dëgjojë vendimin e Gjykatës së Apelit. “Do ta presë vendimin e Gjykatës së Apelit, prandaj nuk mund të japë dorëheqje, sa herë të ma kërkojë opozita”, tha Muja, edhe pse dje u shpall fajtor nga Gjykata Themelore e Prizrenit, ku është dënuar me kusht që të mos kryejë vepra të tjera penale gjatë 3 vjetëve të ardhshme. Muja ishte akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë. Sipas aktvendimit të djeshëm, Mujës i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike, në kohëzgjatje prej 30 muajsh, për çfarë ka reaguar opozita, duke kërkuar nga ai që të japë menjëherë dorëheqje. Vendimin e gjykatës ndaj Mujës, e para e ka përshëndetur dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, e cila ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të tij. “Konsiderojmë se nuk mund të qeveriset Prizreni, me kryetar të shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kërkojmë që Ramadan Muja të japë dorëheqje, në mënyrë që të gjendet zgjidhje politike për Komunën e Prizrenit, përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Prizren. Ndërkaq, kryetari i Bashkimit Demokratik (BD), Zafir Berisha, nuk është i kënaqur me masën e dënimin ndaj kryetarit Muja dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij. Ai tha se kjo masë e dënimit është shumë e ulët. “Pres që Prokuroria të bëjë ankesë për vendimin e shkallës së parë, për shkak të dënimit të ’butë’ që i është shqiptuar Mujës dhe të tjerëve. Shpresoj se dënimi me kusht do t’i kthehet në dënim efektiv”, tha Berisha. Pavarësisht vendimit të kësaj gjykate, Muja nuk ka pranuar të japë dorëheqje, pasi avokati i tij do të paraqesë ankesë në instancat më të larta të drejtësisë, duke e kundërshtuar këtë vendim.

Leave a Reply