Mirë se erdhët në Serbi – Në Restelicë! (Foto)

Mirë se erdhët në Serbi – Në Restelicë! (Foto)

Dragash, 16 gusht 2018 – Kushdo që ka shkuar mbrëmë në Restelicë të Gorës së Dragashit, në Kosovë, është pritur më parullat “Mirë se erdhët në Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Këto parulla janë shkruar me grafit, në muret e tunelit, i cili gjendët në hyrje të këtij fshati me popullatë minoritare.
Ndonëse moti ishte tejet i papërshtatshëm, policia e Dragashit ka intervenuar natën, nëpër rrebesh shiu, duke e hetuar këtë ngjarje që, jo rrallë paraqitet si dukuri në këtë trevë të Dragashit që kohët e fundit përmendet shpesh, për faktin se shteti serb ende është i instaluar përmes sistemit të arsimit dhe disa institucioneve të tjera, siç është Komuna paralele. “Rasti është cilësuar si nxitje e urrejtjes ndëretnike”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë, e cila e ka iniciuar lëndën për hetim të mëtutjeshëm. Kujtojmë se, kohë më parë, edhe në fshatin Kërstec të kësaj treve janë shkruar parulla të këtilla, duke iu uruar kalimtarëve mirëseardhjen në Serbi.