Kurti paralajmëron qasje ndryshe në dialogun me Serbinë!

Kurti paralajmëron qasje ndryshe në dialogun me Serbinë!

Prishtinë, 02 mars 2021 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin që zhvilloi mbrëmë me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, pasi pranoi urimet për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, tha se dialogu me Serbinë është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet por, duke qenë i tillë, ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. “Duhet të jetë transformues, duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional, i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik, në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dyja palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo në shërbim të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë”, i ka thënë Kurti Lajçakut.
Kryeministri në ardhje e njoftoi mysafirin për prioritet e Qeverisë së tij, e të cilat burojnë nga nevojat, sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës. Në fund, të dy u akorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin, pas formimit të qeverisë së re.