Prishtinë, 02 mars 2021 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin që zhvilloi mbrëmë me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, pasi pranoi urimet për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, tha se dialogu me Serbinë është një proces i rëndësishëm që nuk do të neglizhohet por, duke qenë i tillë, ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. “Duhet të jetë transformues, duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional, i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik, në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dyja palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo në shërbim të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë”, i ka thënë Kurti Lajçakut.
Kryeministri në ardhje e njoftoi mysafirin për prioritet e Qeverisë së tij, e të cilat burojnë nga nevojat, sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës. Në fund, të dy u akorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin, pas formimit të qeverisë së re.
Kurti paralajmëron qasje ndryshe në dialogun me Serbinë!
POSTIMI PARAPRAKShtyhet seanca gjyqësore kundër Rexhep Kamberit dhe të tjerëve!
POSTIMI I RADHËSKurti: Do ta krijojmë Fondin e Sigurimeve Shëndetësore!