KPM-ja ndalon transmetimin e televizioneve ruse!

KPM-ja ndalon transmetimin e televizioneve ruse!

Prishtinë, 28 shkurt 2022 – Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM), ka njoftuar se ka vendosur për largimin e përkohshëm nga transmetimi i të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse, përfshirë edhe kanalet Russia Today (RT), Russia 24, Planeta RTR.
“Ky vendim vlen për të gjithë operatorët, përfshirë ata që operojnë në mjedise me shumicë serbe e te cilët transmetojnë disa nga këto kanale ruse. Ndalesa ka për qëllim parandalimin e propagandës dhe mbrojtjen e sigurisë publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin KPM-së, duke shtuar se ky vendim nuk ka për qëllim pengimin dhe cenimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias por qëllimi është ruajtja e sigurisë publike.
Komisioni i Pavarur i Mediave është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbime mediale audio dhe audiovizuele.