Kuvendi i Kosovës shkarkoi kryetarin e KPM-së, Shefki Uka!

kpm kosove logoPrishtinë, 26 dhjetor 2013 – Me 59 vota pro, 34 kundër dhe 26 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme votuan pro shkarkimit të kryetarit të KPM-së, Shefki Ukës, si dhe Vesna Jovanoviqit, si anëtare e KPM-së. Ata u shkarkuan, pasi Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, me 30 tetor i propozoi Kryesisë së Kuvendit shkarkimin e tyre. Shkarkimi i Shefki Ukës u kërkua, pasi që, në momentin që është zgjedhur kryetar i KPM-së ka qenë këshilltar në Komunën e Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, shkarkimi i anëtares, Vesna Jovanoviq, u kërkua për arsye se ajo ka qenë e përfshirë në aktivitete politike, pro Iniciativës Qytetare “Srpska”, në Partesh. Sipas anëtares së këtij komisioni, Xhevahire Izmaku, kjo bie ndesh me nenin 1.3 dhe 1.4 të Ligjit për KPM-në. Neni 1.3 i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, thotë se “nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së personat që mbajnë post publik, të zgjedhur dhe të emëruar, ose personat të cilët kanë qenë në pozita gjatë dy vjetëve të fundit”. Ndërkaq, neni 1.4 ndalon pjesëmarrjen në KPM për anëtarin e “organit udhëheqës të një partie politike, ose personave të cilët kanë qenë në këto pozita, gjatë dy vjetëve të fundit”. Të gjitha grupet parlamentare votuan pro shkarkimit, me përjashtim të grupit parlamentar të LDK-së. Deputeti nga LDK-ja, Armend Zemaj, kërkoi që shkarkimi i Shefki Ukës dhe Vesna Jovanoviqit të kalojë në Komisionin për Legjislacion, pastaj të shkojë në Kuvend, pasi nuk është propozuar edhe emri i Nevzad Hydaverdit. Edhe deputeti, Arben Gashi, kërkoi që shkarkimi të dërgohet prapë në komision, të hiqet emri i Nevzat Hydaverdit, e pastaj të dërgohet në Kuvend, por kjo nuk u mor parasysh dhe deputetet votuan pro shkarkimit të tyre.

Leave a Reply