Kosova pranohet në Komitetin Olimpik – Për Serbinë, akt skandaloz!

kon kosova anetareMonako, 09 dhjetor 2014 – Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Lajmin e ka publikuar në Facebook, Hashim Thaçi, teksa po i numëronte orët e fundit në postin e kryeministrit.
Në arsyetimin e pranimit, thuhet se Kosova është një vend real i sportit, me një strukturë reale të sportit, me 34 federata, 8 nga të cilat janë të pranuara ndërkombëtarisht me status të plotë dhe 4 të tjera me status të pjesshëm.
Në tetor të këtij viti, Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar kishte vendosur për njohjen e përkohshme të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kishte propozuar që ajo të bëhet anëtare me të drejta të plota. Komiteti Olimpik i Kosovës është themeluar në vitin 1992 dhe, që atëherë ka filluar përpjekjet për tu bërë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Vendimi do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në kualifikimet për Lojërat Olimpike “Rio 2016” që do të organizohen në Brazil, si dhe në edicionet e ardhshme të këtyre lojërave.
Ndërkohë, media serbe kanë shkruar me zhgënjim për këtë ngjarje, duke e cilësuar si një vendim skandaloz të KON-it, pasi pranimi i Kosovës u bë pa asnjë votë kundër. E përditshmja “Kurir” e ka vlerësuar si skandaloz faktin që në mbledhjen e Sesionit të 127-të, Kosova u pranua në KON pa asnjë votë kundër nga Bordi drejtues.
“Sipas këtij vendimi, Kosova nën flamurin e shtetit të papranuar do të garojë në Lojërat Evropiane në Baku, në vitin 2015, e më pas edhe në Lojërat Olimpike në Rio, në vitin 2016. Është interesante se në këtë ngjarje, në të cilën u bënë një sërë shkeljesh të rregullave, nuk mori pjesë asnjë anëtar i Komitetit Olimpik të Serbisë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, sipas rregullave dhe procedurave, mund ta pranojë vetëm shtetin i cili është i pranuar ndërkombëtarisht dhe si anëtar i plotë në OKB”, shkruan Kurir.

Leave a Reply