Komuniteti i biznesit, në pritje të Zonës Industriale

parku biznesit prizrenPrizren, 09 korrik 2015 – Përfaqësues të komunitetit të afaristëve dhe zejtarëve në Prizren, kanë shprehur brengën që premtimi disavjeçar i krerëve të Komunës së Prizrenit, për funksionalizimin e Zonës Industriale – Parku i Biznesit, nuk po jetësohet ende. Sipas tyre, zvarritja në këtë drejtim frenon përpjekjet për të pasur investime dhe zhvillim ekonomik në komunën e dytë të Kosovës.
Refet Bushati, i cili kryeson ZES-in, që përbëhet nga shoqatat e zejtarëve dhe të afaristëve të Prizrenit “Esnaf” dhe “Sofra”, ka vlerësuar se lidershipi komunal duhet të jetë më energjik në këtë drejtim, në mënyrë që Prizreni të mos i humbë mundësitë e investimeve që i shfaqen nga biznesmenë të huaj dhe vendorë. Sipas tij, po bëhen më shumë se 6 vjet, që prej se është dhënë premtimi për realizimin e Zonës Industriale, pavarësisht se pushtetit lokal i kanë munguar mjetet dhe, gjatë procesit, është përballur edhe me telashe pronësore. “Zona parashihet të shtrihet në një hapësirë prej 85 hektarësh, ku në 15 hektarë ka konteste. Propozimi i përfaqësuesve të bizneseve ka qenë që, fillimisht të aktivizohet hapësira prej 70 hektarësh, e më pastaj të inkorporohet edhe pjesa tjetër, ngase interesimi për Zonën Industriale është i madh. Vetëm në Prizren janë 15 biznese që kanë shprehur dëshirën për hapjen e bizneseve prodhuese”, ka thënë Bushati për numrin e sotëm të gazetës – Koha Ditore.

Leave a Reply