Dragash, 25 janar 2018 – Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në Dragash, Elam Seferi, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi ka lejuar që i kërkuari nga drejtësia, Mexhait Qerimi t’i ikë arrestimit, ka thënë se nuk pendohet për veprimet e bëra ndaj tij dhe se do të vepronte sërish njëjtë.
Të mërkurën, gjatë fjalës së tij përfundimtare, Seferi ka thënë se, po të gjendej sërish në një situatë të tillë, ku rrezikohej jeta e njerëzve të pafajshëm, sërish do të mundohej të negocionte, para se të përdorej çfarëdo mase e rrezikshme policore, ku mund te kishte viktima. Poashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka thënë se, nga dëgjimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar pretendimi i organit të akuzës, kinse klienti i tij ka keqpërdorur detyrën zyrtare për t’i mundësuar përfitim personit tjetër. Krasniqi ka thënë se, nga dëgjimi i kolegëve të të akuzuarit, të arratisurit dhe bashkëshortes së tij, me padyshim është vërtetuar se klienti i tij ka vepruar në bazë të përgjegjësive që i kanë takuar si udhëheqës i aksionit. Ai ka shtuar se i mbrojturi i tij ka negociuar me të kërkuarin, Mexhait Qerimin, për dorëzim dhe jo për t’i mundësuar që të ikte. “Nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se klienti im nuk ka kontrolluar vendin, prej nga ka ikur i kërkuari, pasi që vetë policët, i kërkuari dhe bashkëshortja e tij kanë dëshmuar se ai ka bërë kontroll në objektin ku ishin lopët, prej nga është arratisur Qerimi. Në këtë rast nuk ka pasur përfitim i ikuri, pasi që i njëjti është gjetur nga policia dhe ka vuajtur dënimin dhe, duke pasur parasysh që i kërkuari vazhdimisht i është shmangur arrestimit dhe ka pasur armë në dorë në ditën kritike, veprimet e klientit tim kanë qenë vendimtare që t’mos ketë viktima”, ka thënë avokati mbrojtës i Mexhait Qerimit.
Në anën tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit sepse, nga dëgjimi i dëshmitarëve, është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke lejuar me dashje që i kërkuari, Mexhait Qerimi, t’i ikte arrestimit.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka shpallë të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për sot (26 janar 2018), në ora 13:30.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Elam Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër. Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policorë, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit, në fshatin Bresanë të Dragashit, për ta arrestuar Mexhait Qerimin, sipas urdhëresës së gjykatës, por ai ka lejuar që i njëjti të arratiset. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi, pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin, rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet, por ai ishte arratisur. Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, për ta kërkuar të arratisurin. Por, pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes, raporton – Betimi për Drejtësi
Elam Seferi: Do të veproja njëjtë ndaj Mexhait Qerimit!
POSTIMI I RADHËSGoranët e Dragashit i ankohen kryetarit serb, Vuçiq!