Dragashit i jepen 800 mijë euro për infrastrukturën sportive!

Dragashit i jepen 800 mijë euro për infrastrukturën sportive!

Dragash, 03 gusht 2018 – Ashtu siç paralajmëroi dje kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sot vizitoi këtë komunë, i shoqëruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga regjioni i Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, Duda Bale dhe Nezir Çoçaj, si dhe nga zëvendësministrat, Mevludin Krasniqi dhe Usmen Ballxhi, të cilët janë nga Dragashi.
Në takimin me kryetarin e Komunës, Shaban Shabani, Gashi nënshkroi dy memorandume bashkëpunimi, njëra për ndërtimin e palestrës sportive në Dragash, në vlerë financiare prej 700 mijë eurosh dhe tjetra për vazhdimin e punimeve në stadiumin e Dragashit, në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Sipas asajë që u tha në këtë takim, projekti për ndërtimin e palestrës sportive, do të implementohet në dy faza. MKRS do të ndajë 200 mijë euro për vitin 2018, ndërkaq në vitin 2019 do të ndajë edhe 500 mijë euro të tjera. Ndërsa, për projektin e stadiumit, ministria do të ndajë 100 mijë eurot e parapara në vitin 2019. Ministri, Kujtim Gashi, tha se MKRS-ja po investon në infrastrukturën sportive ashtu që të përmirësojë kushtet për të rinjtë e Kosovës që të merren me sport. “Sigurisht që edhe kjo vizitë është në kuadër të vizitave që po bëjmë nëpër komunat e Kosovës me qëllimin që t’i ndihmojë ato veçanërisht komunave të vogla që kanë më pak buxhet. Bashkë me deputetët jemi sot këtu edhe për ta konfirmuar mbështetjen për kryetarin e komunës. Jam i lumtur që kemi arritur deri te konkretizimi i marrëveshjes për palestrën sportive i cili ka pasur fat të keq të mos ndërtohet deri tani. Kryetari ka pasur vazhdimisht kërkesë për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Jemi pajtuar që edhe ky projekt të përfundojë dhe ai do të filloj në vitin 2019. Kemi pasur edhe një kërkesë nga deputetja znj. Balje për të investuar në vendbanimet që banojnë komuniteti boshnjak në këtë zonë. Edhe aty do të kemi një teren sportiv në mënyrë që ky komunitet të jetë pjesë e të gjitha aktiviteteve sportive që zhvillohen në komunën e Dragashit”, tha ministri Gashi.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, e falënderoi ministri Gashi për angazhimin e tij për investimet në komunën që ai udhëheq, duke u shprehur se ndjehet i nderuar si Komunë, pas kësaj vizite të këtij delegacioni të zgjeruar. “Memorandumet që nënshkruam sot me ministrin Gashi janë dy projekte madhore për Komunën e Dragashit, projekte që do të rrisin nivelin e aktiviteteve sportive dhe gjithsesi do të krijojnë kushte më të mira për sportistët tanë”, tha kryetari i Dragashit, Shaban Shabani.