Shabani: “Do ta ndryshoj qytezën e Dragashit”

Shabani: “Do ta ndryshoj qytezën e Dragashit”

Dragash, 27 gusht 2019 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka pritur ministrin në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshin, me të cilin kanë përuruar fillimin e rregullimit të sheshit dhe trotuareve në Dragash, investim ky që kap shumën 560 mijë euro.
Në një bisedë për redaksinë tonë, Shabani tha se ky projekt i rikualifikimit do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve tanë. “Ne sot përuruam fillimin e punimeve në rikualifikimin e hapësirës së Dragashit, i cili projekt do të na shërbejë të gjithëve. Projekti i hartuar dhe i mbështetur drejtpërdrejt nga MMPH, shpresojmë që do të na bëjë qytezën më funksionale për qarkullim, si dhe në aspektin estetik do ta zbukurojë dukshëm qytezën tonë. Në dy vitet e ardhshme Dragashi do të duket krejtësisht ndryshe”, tha Shabani për redaksinë tonë, duke shtuar se nuk do të ndalet me kaq. Sipas tij, varësisht nga mundësitë buxhetore, intervenimet tjera në infrastrukturën e Dragashit do të vazhdojnë.
Nga ana tjetër, ministri Matoshi tha dje se Dragashi, sikurse shumë komuna të tjera të vogla, nuk e ka pas sa duhet mbështetjen dhe vëmendjen e institucioneve qendrore. “Dragashi, si shumë komuna të tjera të vogla, mendoj që nuk e ka pas sa duhet mbështetjen dhe vëmendjen e institucioneve qendrore. Është mirë që të kthehet vëmendja tek këto komuna, ku mund të zhvillohet turizmi rural, tek komunat ku njerëzit jetojnë ndershëm dhe nga puna e tyre, ku punojnë tokat e tyre. Ky nuk do të jetë projekti i fundit që MMPH-ja po e zhvillon këtu. Ky është një projekt gjysmë milion euro e që do të zgjasë dy vite. Është nder i veçantë që në komunën e Dragashit të marr pjesë në fillimin e një prej projekteve më kapitale të kësaj komune, kualifikimin e shesheve, trotuareve dhe hapësirave publike të qytezës së Dragashit, të cilës bukurinë ia ka dhënë Zoti dhe ne e kemi për obligim që këtë bukuri ta bëjmë më të qasshme për secilin qytetar”, tha mes tjerash Matoshi.