Corriere della Sera: “Kosova përpara provës së zgjedhjeve”


Corriere della SeraRomë, 07 qershor 2014 – Gazeta italiane ka publikuar sot një artikull, kushtuar Kosovës. Në këtë shkrim flitet për zgjedhjet në vendin tonë, duke e ilustruar përmes kësaj edhe me jetën që bëhet në Kosovë. “Në tavolinat e një restoranti në bulevardin ‘Nënë Tereza’, nëpunësit e organizatave ndërkombëtare, më shumë sesa për brusketën që shërbejnë këtu, duke gjykuar nga shikimet e komentet, vijnë për të ndjerë atmosferën. Askush në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë nuk u befasua kur, pak javë më parë, u vendosën zgjedhjet e parakohshme për datën 8 qershor. Mazhoranca e drejtuar nga Hashim Thaçi, lideri i PDK-së, kishte hyrë në problemin më të fundit, rreth çështjes së transformimit të FSK-së në një ushtri të vërtetë dhe kryeministri kishte deklaruar se, një vend që nuk është në gjendje të ketë as edhe një ushtri të vetën, do të duhej të rishikonte ekuilibrin e vetë të brendshëm. Ekuilibër ky që, në rastin e Kosovës, është thelbi i çështjes”, fillon artikullin kjo gazetë prestigjioze italiane.
“E njohur nga 108 shtete anëtare të OKB-së, numër ky shumë më i ulët se dy të tretat që nevojiten për të garantuar hyrjen e Kosovës në këtë organizatë, si dhe 23 prej 28 shteteve anëtare të BE-së, shteti i vogël ballkanik jeton nën tutelë, që nga viti 2008, vit ky kur u shpallë pavarësia. Që nga viti 1999 këtu vepron një mision ushtarak i NATO-s me detyrë për stabilizim, në mesin e 31 shteteve është edhe Italia. EULEX-i me 2000 pjestarë, të dërguar nga BE-ja, vepron prej vitit 2008, për ndërtimin e shtetit të së drejtës”, vazhdon më tej gazeta.
“Është e vërtetë se organizatat ndërkombëtare janë kujdesur për ne, si për një fëmijë”, thotë Nafie Daci nga pjesa veriore e Pejës, zonë kjo ku është qendra e patriarkatit ortodoks. Më 1999, kur lufta në shtëpinë e saj arriti kulmin, ajo ishte larguar jashtë vendit dhe kur u kthye gjeti vetëm gërmadha. “Nuk kishte asgjë, përpos pluhurit. Filluam çdo gjë nga zeroja. Por, është e pabesueshme se sa kemi arritur në këto 15 vjet. Edhe pse nën një lloj paqeje të ngrirë, ne e kemi kuptuar se për të ekzistuar duhet të respektojmë rregullat”, i ka thënë gazetës kjo zonjë/
Sfida e 8 qershorit bëhet mes dy partive kryesore, LDK-së, e themeluar nga Ibrahim Rugova, president i parë i vendit, dhe PDK-ja e kryeministrit në largim, Hashim Thaçit. Por, në një vend ku korrupsioni është endemik, kush është outsider rrezikon të jetë gjilpëra e vërtetë e peshores. Lëvizja Vetëvendosje fitoi kryeqytetin më 2013, përkundër gjithë parashikimeve, ndërsa Shpend Ahmeti, i cili i shpëtoi një atentati, u shpall “kryetari më i guximshëm në Evropë” nga “The Guardian”.
Albin Kurtit, liderit të Vetëvendosjes, sot i buzëqeshin sondazhet. “Presim nga 17-24 %. Fitorja e Prishtinës, 6 muaj më parë, për herë të parë na ka bërë të besojmë se në Kosovë ligji dhe drejtësia janë objektiva të arritshme, se mafia, korrupsioni dhe nepotizmi mund të luftohen. Ne jemi për socialdemokracinë. Ne jemi një alternativë në përqasje me kapitalizmin”, shprehet Kurti.
Por, nëse gara zgjedhore mbetet e hapur, problemi i vërtetë mbetet veriu i vendit, ku jetojnë pakicat serbe, në kufi me atë që këtu quhet shteti amë. Në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër i mban ende plagët e luftës. Kalohet vetëm në këmbë, sepse barrikada e zallit që bllokon kalimin e makinave, tashmë është shndërruar në pjesë të peizazhit urban dhe në një nga subjektet më të fotografuara nga turistët e pakët që vijnë në këto anë. Nën mbikëqyrjen e karabinierëve italianë, 24 orë në ditë, ura e ndarjes lidh veriun e vendit, që ende varet nga Beogradi, me pjesën e jugut ku jetojnë shqiptarët. “Gjithmonë kam jetuar këtu, para e pas luftës. Shumë kanë ikur, dikë e kanë përzënë. Mua askush nuk më tha asgjë dhe mbeta këtu. Gjërat po ndryshojnë edhe këtu, por më ngadalë. Dhe, nuk do të jenë zgjedhjet ato që do ta ndryshojnë gjendjen, do të jenë njerëzit dhe fjalët që do të mund të shkëmbejmë me njëri-tjetrin në bare, rrugë, lagje. Përmbytja e para disa javësh në Bosnje i mobilizoi të gjithë, serbë e shqiptarë. Nuk ish parë kurrë diçka e ngjashme”, shpjegon Drita, një banore nga kjo anë.
Në një vend, ku rroga mesatare është rreth 250-300 euro, suksesi i vërtetë do të ishte zhvillimi i ekonomisë. Recetën, duket ta ketë gjetur Bexhet Pacolli, i njohur te ne në Itali nga martesa me Ana Oxën, nga viti 1999 deri më 2002, i cili u kthye në legjendë në Kosovë, si biznesmen i suksesshëm, zviceran i natyralizuar, themelues i partisë AKR, u zgjodh President i vendit në 2011, por pastaj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. “Partia ime është liberal-demokratike, e themeluar në SHBA nga menaxher e profesionistë që janë formuar në perëndim. Kosova është e pasur me burime natyrore, pak të shfrytëzuara. Ne do të dimë se si t’i shfrytëzojmë ato. Konfliktet etnike do të shuhen përpara mirëqenies. Dhe, pak ka rëndësi, nëse në zgjedhjet e fundit të 2010, AKR mori vetëm 8 vende në Parlament. Do të jemi në pushtet me çdo kusht. Të gjithë do të duan të bëjnë koalicion me ne”, shpjegon Pacolli, në artikullin e sotëm që ka publikuar gazeta italiane “Corriere della Sera”.