Asgjë nuk zgjat përgjithmonë – Mos rreziko jetën tënde dhe timen!

Asgjë nuk zgjat përgjithmonë – Mos rreziko jetën tënde dhe timen!

Nga: Silvana BEGAJ


O njeri, mbushe kafkën me verë, para se të të mbushet me dhe! (O. Khajam)
O njeri i plotfuqishëm! O mbreti i fateve të vendit dhe të botës! Hap sytë dhe shiko përreth!A ke forcë ta ndalosh këtë makth që e ka zaptuar pjesën më të madhe të planetit? A ke forcë ta ndalosh vdekjen e të dashurve tu? Mbi të gjitha, a ke forcë ta ndalosh vdekjen tënde?
Të dy e dimë që jo! Kështu që, përkulu dhe prano! Ti! O njeri i madh dhe i vogël, i bukur dhe i shëmtuar, i bardhë dhe i zi, i pasur dhe i varfër, i ditur dhe i paditur, i fuqishëm dhe i pafuqishëm, je Askushi dhe Gjithkushi, je Asgjë dhe Gjithçka!

Sa vlerë ka sot dija, bukuria apo pasuria?

Sot, ti duhet të pranosh pafuqinë tënde dhe të bindesh. Jeta është shumë e bukur për ta humbur për një kapriço dhe është shumë e trishtë nëse me papërgjegjshmërinë tënde rrezikon jetën tënde apo jetën e njerëzve tu më të dashur! A mund ta mbash këtë barrë të rëndë me vete? Jam e sigurt që jo! Mos neglizho! Ndiq rregullat! Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Ju siguroj që pas shiut del dielli dhe nga eksperienca, dielli pas shiut ngroh e ndriçon më shumë. Arsyeja duhet të eleminojë optimizmin e tepruar! Të informohesh është detyrë e çdo qënie njerëzore. Të mbrosh veten është detyrë e çdo qenie në tokë!
Rregullat janë bërë për t’u thyer! E di! Unë jam një nga ato që thyej rregullat. Por, s’mund të thyej rregulla që cenojnë jetën e njerëzve, për të cilët do ta jepja jetën që ata të ishin mirë. Njerëzve që dua do t’iu dhuroja ditë nga ditët e mia që ata të ishin në këtë jetë. E si mund t’i rrezikoj?
Sot, është dita të kuptojmë rëndësinë e jetës. Të vetmen gjë që kemi mundësi ta përjetojmë vetëm një herë! Shansi i dytë nuk ekziston. E di, çdo ditë vdekja është pjesë e jetës! Çdo ditë që lind dhe perëndon dielli! Ajo është aty! Por, tani, dreqin, sot është mbrapa derës! Dhe, unë nuk duhet dhe nuk dua ta hap atë derë. As ju mos e hapni! Sepse, me vdekjen nuk ka trimëri! Sepse, me sëmundjet dhe viruset nuk ka trimëri, bukuri, dituri apo pasuri! Unë, sot kam frikë! Nuk kam frikë as nga politika, as nga largësia, as nga vështirësia e jetës. Sot, unë kam frikë për jetën time, jetën e njerëzve të mi, për jetën e çdo shqiptari dhe të çdo qënie njerëzore kudo në botë! Sot, ne mund të ndihmojmë njeri-tjetrin! Sot, ne mund të bashkohemi për një qëllim! Jetën!
Bukovski thotë: Pakujdesia është shërbëtorja e tragjedive! Pra, le të jemi më të kujdesshëm e më të përgjegjshëm dhe të luftojmë si burrat, jo si minjtë! Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Mos rreziko jetën tënde dhe timen!

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)