Arrestohen hajdutët që operonin në Dragash!


arrestimi nga policiaDragash, 08 tetor 2014 – Tre persona të dyshuar për vjedhje në komunën e Dragashit, janë ndaluar nga policia. Prej tyre, O. Muhameti dhe B. Xhemali, janë mbajtur në polici, ndërsa personi i tretë, një i mitur, është lënë i lirë por që edhe ai do të ndiqet penalisht, sipas procedurës së rregullt.
Policia e Prizrenit ka njoftuar sot se ngjarja kishte ndodhur mëngjesin e së martës, rreth orës 05:30 minuta, kur policia e Dragashit kishte ndaluar një automjet, për të cilin dyshohej se po përdorej për vjedhje në komunën e Dragashit. “Policia e Dragashit e kishte marrë për detyrë të përcillte lëvizjet e këtij automjeti, pasi ekzistonte dyshimi i bazuar se i njëjti po përdorej për kryerje të vjedhjeve në qytetin e Dragashit dhe rrethinë. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur pajisje që përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, si dorashka, darë dhe leva. Gjithashtu, në automjet është gjetur edhe një sasi e duhanit që dyshohet se ishte vjedhur, si dhe para të metalit. Tre personat që ndodheshin në automjet, janë intervistuar dhe në fund është kuptuar se të njëjtit, në bashkëveprim, nga data 28 gusht e deri me 06 tetor, kanë kryer tetë vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme të komunës së Dragashit”, njoftoi zëdhënësi i policisë së Prizrenit, Hazir Berisha.