Dragash, 13 nëntor 2020 – Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Dragash, deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, të enjten ka vazhduar mbrojtjen e tij në rastin ku po akuzohet për sulm dhe kanosje, duke thënë se ai dhe familja e tij janë ndier të kërcënuar nga të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzati, të cilët, sipas tij, i kanë përcjellë dhe vëzhguar lëvizjet e fëmijëve të tij në shkollë e kopsht, madje edhe në aktivitetet e lira. “Edhe njëherë e përsëris se e tërë kjo çështje penale, në bazë të deklaratave të këtyre vëllezërve, është bërë pasi që të njëjtit kanë qenë shumë të afërt me mua personalisht, kemi pasur afërsi dhe vizita familjare dhe, kur Fatiri mi bllokon të gjitha e-mailet, profilet në rrjete sociale dhe refuzon të mi dorëzojë dokumentet, pasi që bëhet zv-ministër, si i propozuar nga partia jonë, e humb besueshmërinë dhe ne e shkarkojmë nga kjo pozitë, ata ndërmarrin këtë veprim, me të vetmin qellim, hakmarrjen. Këtë e them për faktin se, në ditën kur me vendim të kryeministrit, Fatir Berzati shkarkohet nga pozita e zëvendësministrit për Zhvillim Ekonomik, i njëjti menjëherë atë ditë është paraqitur në media për të njoftuar shkarkimin e tij. Një ditë më vonë, i njëjti ka bërë edhe kallëzimin penal, kinse e kam sulmuar fizikisht dhjetë ditë më parë. Krejt kjo, me qëllim të hakmarrjes ndaj meje”, ka thanë ndër të tjerash i akuzuari Hoxha.
Në seancën e së enjtes, nuk ka qenë prezent i dëmtuari, Fatir Berzati, me arsyetim se ka probleme shëndetësore dhe ndodhet në Shkup, por që nuk është dhënë ndonjë dëshmi konkrete.
Mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Hajrip Krasniqi, i ka propozuar gjykatës që në seancën e së enjtes të dëgjohet edhe fjala përfundimtare e palëve, mirëpo një gjë të tillë e ka kundërshtuar prokurori, Beqë Shala, duke kërkuar kohë që të përgatisë fjalën përfundimtare, pasi në çdo seancë prezantonin prokurorë të ndryshëm. Me këtë arsyetim, gjykatësi Luan Berisha e ka ndërprerë seancën për ta caktuar në një datë tjetër.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokuroria Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë Unike Gorane (JPG), në Dragash, me dashje ka përdorë dhunë ndaj personit tjetër. Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur, derisa të dëmtuarit Berzat dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit, Berzat Berzati me fjalët: “Dil jashtë sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”. Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dalë jashtë, goditet me shqelm nga i pandehuri dhe më pas goditet edhe me grushte dhe shuplaka.
Adem Hoxha thotë se familja e tij janë ndier të kërcënuar nga vëllezërit Berzati
POSTIMI PARAPRAKC-19: Një i vdekur dhe pesë raste të reja në Dragash