Prishtinë, 14 qershor 2014 – Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila ka organizuar sot testin e maturës, është shprehur e pakënaqur me mbarëvajtjen e këtij procesi. Këtë e ka shprehur përmes një komunikate për media, ku thuhet se numri i madh i nxënësve, rreth 46 mijë, ka krijuar tollovira dhe hapësirë për manipulime. “Fatkeqësisht, përkundër përgatitjeve të mëdha që kemi bërë, individë dhe grupe të caktuara kanë vepruar në drejtim të komprometimit të procesit. Në këtë drejtim, duhet potencuar edhe papërgjegjësinë e disa mësimdhënësve administrues, në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive që kishin në administrimin e testit”, thuhet mes tjerash në komunikatën e MASHT-it, ku si arsyetim jepet numri shumë i madh i maturantëve, që sipas tyre, ka krijuar vështirësi në përcaktimin e qendrave të mjaftueshme të testimit. “MASHT me kohë ka qenë e informuar se grupe të caktuara të maturantëve, në bashkëpunim me persona të panjohur deri më tani, janë pajisur me SIM kartela të operatorëve të ndryshëm mobilë dhe se kanë hapur grupe të ndryshme komunikimi në Facebook, me qëllim të krijimit të mundësive për kopjim. Për të gjitha këto, MASHT ka informuar Policinë e Kosovës dhe besojmë shumë se organet e hetuesisë do të arrijnë t’i identifikojnë personat e involvuar në këto manipulime”, thuhet në komunikatë, ku paralajmërohet se MASHT do ta analizojë sjelljen e administruesve të përfshirë në këtë proces dhe, për të papërgjegjshmit, do të iniciohen masa të përgjegjësisë sipas ligjeve në fuqi.