Varroset i riu nga fshati Bresanë që vdiq dje aksidentalisht

Varroset i riu nga fshati Bresanë që vdiq dje aksidentalisht

Dragash, 23 mars 2019 – Sot në fshatin e tij të lindjes, në Bresanë të Dragashit, është varrosur i riu, Muhamer Mustafa, i cili dje ndërroi jetë aksidentalisht, teksa po e ushtronte kalin e tij për garat që do të pasojnë këtë vit.
Policia e ka bërë të ditur lajmin tragjik sot, ku potencohet se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 16:30, në Mejdan të Opojës. “Derisa kishte qenë duke e stërvitur një kalë, viktima ishte rrëzuar duke pësuar lëndime trupore. Viktima ishte sjellë pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës i dorëzohet familjarëve”, thuhet në raportin e sotëm të policisë.
Bashkëfshatarët e të ndjerit e karakterizuan atë si një djalosh të mrekullueshëm dhe të apasionuar pas sportit të hipizmit, me të cilin sport ishte marrë për dhjetë vjet me radhë. Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë numër i madh njerëzish.