Sot po votojnë serbët… Edhe goranët!

vranic vraniste zgjedhjet izbori 2016Dragash, 24 prill 2016 – Qytetarët e Serbisë sot po e zgjedhin përbërjen e 11-të të Kuvendit Popullor, që kur është futur ky vend në sistemit shumëpartiak, si dhe përbërjen e re të Kuvendit krahinor të Vojvodinës.
Sipas Komisionit Zgjedhor të Serbisë, numri i votuesve në të gjitha vendvotimet, arrin në 6.739.441, prej tyre vetëm në Beograd do të jenë 1.618.264 votues, në Vojvodinë 1.728.991 votues, ndërsa në Serbinë qendrore, siç e quajnë zyrtarët serbë Serbinë pa Kosovën, të drejtë vote kanë 3.269.663.
Ndërkohë, sipas KQZ-së serbe, edhe në Kosovë do të votojnë 106.094 votues dhe ato po i organizon OSBE-ja. Kjo e fundit ka bërë me dije se çdo gjë po shkon mirë rreth “grumbullimit të votave” të qytetarëve që kanë të drejtën për të votuar.
Në trevën e Gorës së Dragashit, ku nuk ka asnjë serb, por që funksionon Komuna e dirigjuar nga Serbia, të drejtën e votës për Serbinë e kanë rreth 7.500 banorë. Këto të dhëna ia kanë konfirmuar Radio Sharrit zyrtarët e kësaj komune paralele por edhe një anëtar nga stafi teknik, i cili nuk donte t’i përmendej emri. Nga ana tjetër, një përfaqësues i OSBE-së, ia konfirmoi Radio Sharrit se kjo që po ndodhë në Vraniç, ku edhe ndodhet Komuna paralele e Gorës, nuk quhet votim por vetëm aksion i grumbullimit të votave. “Sikurse në krejt Kosovën, edhe në Gorë po e kryejmë këtë praktikë për grumbullimin e votave, të cilat më pas do të transportohen në Serbi, ku atje merren me numërimin dhe procedurat tjera. Misioni ynë është që tua mundësojmë qytetarëve që kanë të drejtë vote dhe që duan të votojnë, ta kryejnë këtë qetë dhe pa ndonjë incident”, i tha Radio Sharrit ky zyrtar.
Ndryshe, nga ajo që ka parë ekipi ynë në këtë vendvotim, mësohet se përgjigjja e qytetarëve në këto zgjedhje është e lart dhe se ka shumë prej tyre që kanë ardhur të votojnë, por që nuk gjenden në listat e votuesve, gjë që OSBE nuk po i lejon të votojnë, ndërkohë që po shikojnë mundësinë e votimit me kusht, apo evidentimin e këtyre personave në një listë të veçantë. Aktualisht nuk është evidentuar ndonjë incident apo problem që do ta prishte rendin dhe qetësinë publike.