SHML “Ruzhdi Berisha” shënoi sot 53-vjetorin e themelimit

SHML “Ruzhdi Berisha” shënoi sot 53-vjetorin e themelimit

Dragash, 19 prill 2022 – Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” në Dragash, sot shënoi 53-vjetorin e themelimit, datë kjo që është zyrtarisht edhe Dita e kësaj vatre më të lart arsimore në këtë komunë.
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, të pranishëm ishin familjarë të dëshmorit, Ruzhdi Berisha, emrin e të cilit tashmë e mban kjo shkollë, si familjarë të tjerë të dëshmorëve nga kjo anë. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe kreu i komunës, Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga dy nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, si dhe zyrtarët tjerë të Komunës.
Programi filloi me homazhe në fshatin Buçe, pranë varrit të mësuesit dhe deshmorit Ruzhdi Berisha, emrin e të cilit e mban me krenari kjo shkollë. Më pas, manifestimi vazhdoi në sallën e sporteve të kësaj shkolle, para një numri të madhë të pranishmëve, ku drejtori i shkollës, Shukri Nebiu, lartësoi sakrificën dhe atdhedashurinë që kishte profesori Ruzhdi Berisha, për të vazhduar më pas me shpalosjen e historikut dhe të arriturat e shkollës.
Një fjalim rasti mbajti edhe kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, si dhe drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu, të cilët uruan për këtë ditë dhe shprehën respektin më të madhë për familjen dhe mësuesin, Ruzhdi Berisha. “Faleminderit profesorëve dhe ish-profesorëve për kontributin e dhënë, para dhe pas luftës, në këtë shkollë ku edhe vet isha profesor, së bashku me Ruzhdi Berishën, i cili gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet simbol i diturisë dhe krenarisë. Ai çdo herë merrte i pari iniciativa pastaj ne e ndiqnim. Ai iku para kohe nga kjo botë, ku gjakatarët serbë e privuan nga jeta. Por, profesori në fakt u bë i pavdekshëm”, tha mes tjerash Xheladini.
Manifestimi vazhdoi me program historiko-letrar, të përgaditur posaqërisht për këtë ditë, ku nxënësit para të pranishmëve u paraqiten me poezitë e tyre. Ndërsa risi në këtë datë ishte publikimi për herë të parë i revistës së shkollës, për të cilën u tha se do të jetë mundësi e mirë për informim rreth aktiviteteve të ndryshme, si dhe një dritare më shumë për nxënësit që t’i shprehin aftësitë e tyre.