SHKA “Bresana” merr çmimin e parë në “Anadrinia Jehon 2016”

SHKA “Bresana” merr çmimin e parë në “Anadrinia Jehon 2016”

Rahovec, 14 maj 2016 – Juria e përbërë nga koreografi, Dilaver Kryeziu, kompozitori, Sami Piraj, si dhe folkloristi, Zymer Neziri, paraqitjen e SHKA “Bresana” nga fshati Bresanë e Dragashit, e kanë vlerësuar më të mirën, duke i ndarë çmimin e parë “Anadrinia Jehon 2016”. Ndërsa, vendi i dytë i ka takuar SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit, kurse i treti SHKA “Mitrovica” nga Mitrovica.
Pos këtyre çmimeve, organizatori ka shpërndarë edhe 12 çmime të tjera, si valltarja më e mirë, valltari më i mirë etj. Çmimin kryesor e ka dorëzuar, Gardalin Shtavica, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Rahovecit. Më shumë se 5 mijë shikues e kanë përcjellë gjatë tri ditëve festivalin tradicional gjithëkombëtar të folklorit burimor “Anadrinia Jehon 2016”. Dejni i vogël i Rahovecit, por bujar, mikpritës dhe shpirtmadh, ka qenë vend pelegrinazhi i tërë Anadrinisë dhe më gjerë. Në këtë festival, i cili u mbajt nën patronatin e kryetarit të Rahovecit, Idriz Vehapi, morën pjesë 18 ansamble e shoqëri kulturo-artistike (SHKA), me mbi 600 rapsodë e këngëtarë, artistë të folklorit autokton dhe burimor shqiptar, nga të gjitha trevat shqiptare.
Në amfiteatrin e improvizuar në Dejnë, në natën e tretë garuan Ansambli “Xhavit Haziri” nga Obiliqi; SHKA “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe; Ansambli “Mitrovica” nga Mitrovica; SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit; SHKA “Scampa” nga Elbasani dhe SHKA “Bresana”, të cilët me repertoar të begatshëm, me paraqitjet e dokeve, zakoneve dhe trashëgimisë kulturore, kanë pasqyruar lashtësinë e trashëgimisë kulturore dhe etnografike shqiptare.
Njëri nga anëtarët e SHKA “Bresana”, Shpetim Ahmeti, njoftoi sot se ndihen shumë të lumtur që, kjo shoqëri nga Opoja ka arritur që, brenda 10 ditëve, në dy festivale të mëdha që mbahen në Kosovë, të fitojë çmimet e para, njëri në festivalin “Hasi Jehon” edhe dhe tjetri në “Anadrinia Jehon” që përfundoi mbrëmë. “Nga dy njohësit më të mirë të kulturës në Kosovë, Sami Piraj dhe Dilaver Kryeziu, shoqëria nga Bresana ka marrë fjalë miradije dhe është vlerësuar lart para shikuesve në këto dy festivale”, tha Shpetim Ahmeti, duke shtuar se ky sukses i SHKA “Bresana” i ka bërë nder gjithë trevës së Opojës, pasi me shpalosjen e dokeve dhe zakoneve nga kjo trevë është  vlerësuar si më e mira dhe më origjinalja.

  1. Urime dhe suksese tjera!! Krahina e Lumes ka qene dhe eshte diamanti i kultures dhe tradites Shiptare! Shnet!!!

Leave a Reply