Mustafa premton rrugën, Prizren – Dragash – Tetovë

ldk dragash bresaneDragash, 20 prill 2014 – Pas premtimit të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, për zgjerimin e magjistrales, Zhur – Dragash – Zaplluxhe, opojanët kanë marrë sot një premtim më të madh, ndërtimin e rrugës Prizren – Dragash – Tetovë. Ky premtim u dha sot nga zyrtarët më të lart të LDK-së, të cilët qëndruan sot në komunën e Dragashit. “LDK-ja do të angazhohet për ndërtimin e rrugës, Prizren – Dragash – Tetovë”, tha kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili sot zhvilloi takim me banorët e trevës së Opojës, ku promovoi programin e partisë së tij, si pjesë e konkurrimit në zgjedhjet e parlamentare që pritet të mbahen këtë vit. Ata zgjodhën fshatin Bresanë për tu takuar me simpatizantët e tyre nga kjo trevë, para të cilëve foli i nominuari i LDK-së për kryeministër,Isa Mustafa. “LDK, përmes programit të saj qeverisës, ofron zgjidhjen e shumë problemeve. Fokusi ynë mbetet zhvillimi ekonomik i vendit”, tha mes tjerash Mustafa, duke shtuar se, me ardhjen e tij në pushtet, do të ndryshohen politikat tatimore. “Do të angazhohemi në avancimin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe do t’i zvogëlojmë shpenzimet qeveritare”, tha mes tjerash kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja insiston në shpërbërjen e Kuvendit, pas votimit për Gjykatën Speciale dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it. “Ne kërkojmë që zgjedhjet nacionale të mbahen, në javën e parë të qershorit”, tha Beqiri, duke premtuar se zhvillimi i bujqësisë në këto anë, do të përkrahet fuqishëm nga LDK-ja.