Riza Halimi: Do t’i mbrojë fuqishëm interesat shqiptare

riza halimi fituesPreshevë, 18 mars 2014 – Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi, partia e të cilit ka fituar dy mandate të deputetit në Parlamentin e Serbisë, ka thënë se do të jenë zë i fuqishëm në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Procesi zgjedhor i së dielës dhe zgjedhja e dy përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë, sigurisht se e vë në dimensione reale çështjen e shqiptarëve. Do ta kemi një rol për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve, si dhe për t’i zgjidhur të gjitha ato probleme të rënda jetësore me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka thënë Halimi për “Epokën e re”, duke shtuar se, së bashku me kolegun e tij, do të angazhohet të sigurojë qasje më serioze të nivelit qendror për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Halimi ka thënë se deputetët shqiptarë do të jenë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë, për t’i mbrojtur në të gjitha format politike të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Nuk mendoj me logjikën partiake, por mendoj për interesat kolektive të shqiptarëve dhe ne, tashmë e kemi një përgjegjësi shumë të madhe dhe, si deputetë shqiptarë në Parlamentin serb, duhet të jemi në nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Me aktivitetin tonë do t’i mbrojmë në të gjitha format politike të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Po ashtu, do të angazhohemi të sigurojmë një qasje shumë më serioze nga niveli qendror për zgjidhjen e problemeve të rënda jetësore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka deklaruar Halimi, duke shtuar se kjo fitore e ka një peshë të madhe.
Halimi ka shtuar se, në fitoren e këtyre dy mandateve, përveç angazhimit të tyre, ka ndikuar edhe mbështetja nga përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë. Sipas Halimit, një rol të veçantë për daljen e shqiptarëve në zgjedhjet e së dielës e ka pasur deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. “Për daljen e qytetarëve në zgjedhje, përveç aktivitetit tonë, kanë ndikuar edhe disa faktorë të tjerë, siç ka qenë mbështetja e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, në fazën e parë, duke kërkuar nga ne që të jemi aktivë në jetën politike. Pastaj, ishte me rëndësi edhe përkrahja që morëm nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, por sigurisht se ka pasur peshë edhe deklarata e kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili një ditë para zgjedhjeve, në mënyrë transparente, përkrahu procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në këto zgjedhje”, ka theksuar Halimi, duke treguar se nuk ka qenë e lehtë pjesëmarrja e një subjekti të vetëm në zgjedhjet e së dielës. “Në situatën kur partitë e tjera vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje, pjesëmarrja jonë në këtë proces ishte një përgjegjësi e madhe. Prandaj, është një rezultat mjaft i mirë, duke pasur parasysh faktin se kishim një konfuzion në pjesën fillestare, që shumica e partive shqiptare doli me një qëndrim për t’i bojkotuar këto zgjedhje”, ka deklaruar Halimi, duke shprehur gatishmëri për të biseduar me partinë fituese serbe, SNS, për modalitete dhe mundësi të pjesëmarrjes në ndonjë nivel të qeverisjes.