Rifaj: “Ja pse votova kundër pikës së tretë, në Kuvendin e së martës”!

Rifaj: “Ja pse votova kundër pikës së tretë, në Kuvendin e së martës”!

Dragash, 01 maj 2014 – Këshilltari nga radhët e PDK-së, Granit Rifaj, i cili në mbledhjen e së martës të Kuvendit komunal të Dragashit kërkoi heqjen e pikës së tretë të rendit të ditës që kishte të bënte me shfuqizimin e një vendimi të legjislaturës së kaluar, përmes së cilit iu morën pronat ndërmarrjes “Sharrprodhimi”, për t’iu rikthyer Komunës, flet për arsyet se përse mori këtë qëndrim. Sipas tij, asgjë personale dhe asgjë politike nuk kishte në veprimin e tij. Mbi të gjitha, thotë se mbetet këmbëngulës që pronat e Komunës nuk mund të tjetërsohen, aq me pak të shiten. “Ndërmarrja në fjalë i kishte ato prona në shfrytëzim dhe jo në pronësi. Pa çka se legjislaturat e mëhershme komuniste, duke shfrytëzuar pushtetin absolut ia falin gjysmën e territorit të komunës, duke shkelur kështu vendimin e vitit 1960, përmes së cilit i janë dhenë në shfrytëzim këto toka, që në fakt përbëjnë gjysmën e territorit të komunës së Dragashit. Falë strategjisë që parku nacional do të shtrihet edhe në komunën e Dragashit, një pjesë e këtyre tokave shpresojmë të shpëtohet nga shitja. Por, rreziku mbetet tek arat dhe livadhet që janë fare pranë vendbanimeve, e të cilat rrezikohen të shiten”, thotë mes tjerash Rifaj për Radio Sharrin, për të sqaruar se qëllimi i vendimit që kishte marrë legjislatura paraprake, ishte që t’i mbronte tokat e Komunës, që në fakt janë të popullit të kësaj ane. “Ai vendim ishte shumë i drejtë dhe mbetem në qëndrimin tim që ai të mos anulohet. Përse po u dashka tani që ta anulojmë atë vendim, i cili mbetet bazë për ta mbrojtur pronën tonë. Fundja, përse të mos presim vendimin e gjykatës, për të parë se çfarë duhet bërë më tej. Gjykata, me siguri do t’i ketë parasysh vendimet e mëhershme, siç është ai i vitit 1960, përmes së cilit iu dhanë në shfrytëzim këto toka dhe jo në pronësi kësaj ndërmarrjeje të sapothemeluar në atë kohë. Pastaj, gjykata do ta ketë parasysh edhe vendimi i vitit 2010, i cili ia rikthen pronën Komunës, duke u bazuar në faktin se ndërmarrja “Sharrprodhimi” nuk po i shfrytëzon ato, por po pritet që privatizohet, bashkë me tokat dhe objektet, e që le për të dyshuar se në këtë privatizim do të përfitojë një grup interesi, në dëm të banorëve të kësaj komune”, thotë më tej Rifaj, duke u thirrur në mandatin e tij, si përfaqësues i popullit dhe jo si përfaqësues i ndonjë organizate apo grupi të interesit. “Unë përfaqësoj popullin dhe jo individë, organizata apo grupe të interesit. Mbrojtja e tokave tona, mendoj se është mbrojtje e pronës së qytetarit. Prandaj kam vepruar si këshilltarë dhe jo si politikan apo subjekt politik. Fundi i fundit, edhe subjekti politik, të cilit i takoj (PDK), është kundër tjetërsimit të pronës së qytetarëve”, konstaton Rifaj. I pyetur nga Radio Sharri, se kush e kishte futur në rend dite këtë pikë, Rifaj tha se nuk kishte njohuri. “Unë jam njoftuar për këtë pikë, përmes materialit të mbledhjes. Nuk e di fare se kush e kishte futur në rend dite dhe me çfarë arsyetimi. Por, e di se kjo pikë nuk e kishte vendin në këtë seancë, të paktën jo para se gjykata të thotë fjalën e saj”, përfundon Rifaj.