Restelica i ankohet kryetarit Xheladini për mungesë tensioni të energjisë elektrike!

Restelica i ankohet kryetarit Xheladini për mungesë tensioni të energjisë elektrike!

Dragash, 02 gusht 2025 – Ndonëse kompania KEDS është private dhe nuk menagjohet nga pushteti qendror e aq më pak nga ai komunal, banorët shpesh i adresojnë kritikat në adresë të qeveritarëve. Së fundmi, një ankesë e tillë u dëgjua të premten në trevën e Gorës së Dragashit, ku në manifestimin kulturor që u organizua në vendin e quajtur “Koshçe”, në kuadër të Ditëve të Mërgatës, ku të pranishëm ishin edhe krerët komunalë, kryetari Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Dragashit, Arijeta Skeraj, shqetësimin për tension të ulët të energjisë elektrike, fillimisht ua shprehu deputeti në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha, e më pas edhe banorët e kësaj zone.
Nga kryetari i Komunës u kërkua që ta shfrytëzojë autoritetin e tij si kryetar komune, për të reaguar tek KEDS-i, me qëllim që të rritet tensioni i energjisë, veçmas në kohën kur qëndrojnë mërgimtarët në vendlindje, pasi shumë pajisje shtëpiake nuk po funksionojnë si duhet.
Pas këtyre ankesave, kryetari Xheladini ka dalë me një komunikatë, ku ka potencuar se, ndonëse KEDS-i është kompani private, ai gjithmonë ka qëndruar në anën e qytetarëve dhe të konsumatorëve. “Pas kontaktit me përfaqësuesit kompetentë të KEDS-it, kam marrë konfirmimin se do të ndërmerren masa për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, lidhur me problemet e tensionit të ulët të rrymës në këtë zonë. Komuna e Dragashit, në bashkëfinancim me KEDS-in është duke implementuar një projekt të rëndësishëm për rregullimin e linjës energjetike në drejtim të Restelicës dhe Brodit, projekt ky i cili do të stabilizojë përfundimisht furnizimin me energji elektrike në tërë trevën e Gorës”, ka njoftuar mes tjerash kryetari Xheladini, duke thënë se kostoja financiare e këtij projekti është 800 mijë euro dhe pritet të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.