Ramadan Muja uron Erdoganin – Erdogan e falënderon Kosovën

betohet ramadan mujaPrizren, 02 prill 2014 – Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ia ka uruar fitoren kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Mes tjerash, Muja në urimin e tij shkruan se po e uron Erdoganin, si drejtues i Komunës së Prizrenit. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, të cilën e drejtoj, t’ju përcjell urimet më të përzemërta, me rastin e fitores suaj të madhe në zgjedhjet vendore. Kjo fitore, është një garanci, se vendi juaj po ecë drejt zhvillimeve të gjithanshme dhe po bëhet një faktor, gjithnjë e më me ndikim në përmasa globale”, thuhet mes tjerash në urimin e Mujës.
Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve vendore në Turqi, kryeministri, Rexhep Taip Erdogan mbajti fjalimin tradicional në ballkonin e selisë së partisë, në Ankara, para së cilës ishin mbledhur mijëra anëtarë dhe simpatizantë të tij. Fillimisht, Erdogan falënderoi popullin e tij, duke vazhduar me falënderime për popujt jashtë Turqisë që e kishin mbështetur. “Falënderoj të gjithë ata që fitoren e Turqisë e shikojnë si fitoren e tyre. Falënderoj vëllezërit tanë, që nga Egjipti e deri në Ballkan, nga Evropa e deri në Siri”, tha shefi i qeverisë turke, duke mos harruar të përmend edhe Kosovën.
Fitorja e Erdoganit është kremtuar edhe në Kosovë, saktësisht në qytetin historik të Prizrenit, i cili njihet si vendbanimi me numrin më të madh të komunitetit turk në Kosovë.