Qeveria lokale në mbledhjen e sotme paralajmëroi shumë projekte!

Qeveria lokale në mbledhjen e sotme paralajmëroi shumë projekte!

Dragash, 08 mars 2023 – Në mbledhjen e pestë të Qeverisë Lokale në Dragash, u diskutuan disa pika, ndër të cilat dominuan ato që kanë të bëjnë me projektet kapitale dhe me rëndësi të përgjithshme.
Caktimi i projekteve prioritare, të cilat pritet të realizohen nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, caktimi i projekteve prioritare që kërkohen të realizohen nga organizata turke “TIKA”, si dhe nga Kryesia e Këshillit të Lartë Turk në Kosovë, ishin temat dominuese në këtë mbledhje.
Gjatë diskutimit u vendos që MKK-së t’i kërkohet ndihmë në realizimin e disa projekteve që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës, siç është stadiumi i qytezës, fasadimi i shkollës në fshatin Restelicë etj. Ndërkaq, nga Kosullata e Përgjithshme Turke në Prizren dhe nga TIKA të kërkohet mbështetje në realizimin e projekteve në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.
Në njoftimin zyrtar për publikun, thuhet se kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, gjatë takimeve që do t’i zhvillojë me institucionet e lartpërmendura, do t’i paraqesë këto projekte dhe do të kërkojë financimin e tyre.
Në fund të takimit, në kuadër të pikës eventuale, u mor qëndrim që për vitin e ardhshëm të planifikohen mjete financiare për realizimin e projektit për shenjëzimin vertikal dhe horizontal të rrugëve lokale si dhe vendosjes së pengesave në rrugët e fshatrave, veçanërisht afër shkollave, ku qarkullimi i veturave është i madh, në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i këmbësorëve.
Në fund të takimit, kryetari Xheladini e informoi kabinetin qeverisës së, me kryeshefin e “Ekoregjionit”, Burim Shalën, kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi për blerjen e 30 kontejnerëve, ku komuna do të participojë me 10 mijë euro ndërsa “Ekoregjioni” me 5 mijë euro. Ndërkaq, po me këtë kompani publike do të nënshkruhet një kontratë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve dhe parqeve publike, ku për herë të parë do të bëhet edhe larja e rrugëve të qytezës së Dragashit, një herë në javë.