Policia speciale e Kosovës – aksion në Shtërpcë dhe Mitrovicë

specialet rosu kosovaMitrovicë – Shtërpcë, 04 mars 2014 – Mediat serbe transmetojnë se sot është ndërmarrë një aksion nga policia speciale e Kosovës (ROSU), në Shtërpcë dhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas njoftimit që transmetoi para pak çastesh televizioni publik serb (RTS), pjesëtarët e ROSU-s kanë bastisur Gjykatën Themelore, në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila funksionon në kuadër të sistemit gjyqësor të Serbisë.
Ky televizion ka raportuar edhe për arrestimin në Shtërpcë të Dejan Stevanoviqit, Radisha Jovanoviqit, Dragan Markoviqit dhe Dejan Jorgoviqit, që të gjithë të angazhuar në njësitin hetimor të stacionit policor të Shtërpcës. Po ashtu, raportohet edhe për arrestimin e rojës lokale të pyjeve, Dragutin Ivanoviq. Policia speciale e Kosovës ka vazhduar aksionin me bastisjen e shtëpive të të gjithë të arrestuarve, si dhe janë bastisur fshatrat Sevçe, Gotovushë dhe Vërbeshticë. Ndërkaq, agjencia serbe “Tanjug” raporton për bastisje edhe në shtëpitë e familjes Llaziq, në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, kompjuterë dhe telefona. Njëri nga këta familjarë iu ka rrëfyer mediave beogradase, se policia kishte hyrë në shtëpinë e tij, në orën 5:30, me ç’rast i kishte prezantuar autorizimin për bastisje.
Për shkak të këtij aksioni, disa dhjetëra serbë janë tubuar para Komunës së Shtërpcës, ku nga kryetari, Bratisllav Nikoliq, kanë kërkuar sqarime. Mediat serbe raportojnë se Policia e Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, kishte arrestuar një pjesëtar të MUP-it, të cilit i kishin gjetur një USB, ku ndodheshin emrat e disa personave, pjesëtarë të policisë së Kosovës, të cilët i kishin raportuar organeve serbe. Sipas këtyre mediave, kjo është arsye e arrestimeve të sotme.
Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka quajtur tendcioz aksionin e policisë së Kosovës. “Arrestimet janë bërë me qëllim të shqetësimit të serbëve, që ata të detyrohen për tu shpërngulur”, ka thënë Vulin, duke premtuar se Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, do të sigurojë menjëherë ndihmë juridike për të gjithë të arrestuarit.

Leave a Reply