Përkujtohet “Epopeja e Gorozhupit”

Përkujtohet “Epopeja e Gorozhupit”

Prizren, 31 maj 2018 – Në fshatin Gorozhup të trevës së Hasit sot është shënuar 19 vjetori i “Epopesë së Gorozhupit” që tashmë njihet si operacioni “Shigjeta”.
Përvjetori i 19-të i kësaj epopeje edhe njëherë evokoi betejë, kur Brigada 128-të e UÇK-së pati sulmuar forcat serbe në kufirin me Shqipërinë që atëkohë kontrollohej rreptë nga Serbia, duke i terrorizuar shqiptarët në forma të ndryshme.
Para të pranishmëve foli, Ruzhdi Saramati, ish-komandant i brigadës 128, duke potencuar se betejat në malet e Pashtrikut i dhanë goditjen e fundit okupatorit të egër. “Falë sakrificës sublime të të gjithë luftëtarëve të lirisë, ne sot nuk e kemi prezent makinerinë vrastare serbe”, tha mes tjerash Saramati. Ndërkaq, nënkryetari i Prizrenit, Eshref Memaj, tha se në një luftë të pakompromis ndaj një armiku të egër, u derdh shumë gjak që ëndrrat shekullore të Popullit tonë të jetësohen me çlirimin e Kosovës.
Ish- eprori i lartë i Ushtrisë së Shqipërisë, i cili më pas u vu në shërbim të UÇK-së, Maliq Doçi, tha se operacioni “Shigjeta” është hartuar nga strateg të luftës së UÇK-së, që rezultoi i suksesshëm gjatë luftimeve me forcat armike. “Nga Brigada 128-të, në betejën e 31 majit 1999, në altarin e lirisë ranë për t’mos u shuar kurrë 16 dëshmorë kurse dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, duke e vulosur kështu me gjakun e tyre lirinë e Kosovës dardane”, tha Doçi.
Për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur artistik, i shoqëruar edhe me recitale, të cilat në masën e gjerë të të pranishmëve ngjalli emocione të dhimbshme.