Në Rrenc përurohet memoriali “Abdurrahman Gërdellaj”

Në Rrenc përurohet memoriali “Abdurrahman Gërdellaj”

Dragash, 02 qershor 2018 – Në fshatin Rrenc të Opojës, komuna e Dragashit, sot është përuruar kompleksi memorial që përkujton rënien e dëshmorit, Abdurrahman Gërdellaj, para 19 vjetësh. Të pranishëm në ceremoni ishin  familjarët e dëshmorit, zyrtarë komunalë, personalitete të shumtë, si dhe bashkëvendësit e dëshmorit.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, tha se nga Abdurrahmani do të frymëzohemi për heroizëm. “Sot frymëzohemi nga heroizmi i tij, duke rikujtuar se sa e shtrenjtë është liria. Ne sot po e përkujtojmë Abdurrahmanin, sakrificën sublime dhe trimërinë e tij. Ky shesh që e ka zbukuruar fshatin, do të jetë vend frymëzimi për ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Do të mbetet përjetësisht vend nderimi për atë që flijoi jetën në altarin e lirisë së atdheut”, u shpreh mes tjerash Shabani.
Ndërkaq, deputeti Zafir Berisha, i cili opojanët i kishte bashkëluftëtarë, tha se treva e Opojës nuk heshti kurrë në luftën për liri. “Shumë djemë dhe burra nga kjo trevë u burgosën dhe u torturuan nga Serbia. Por, asnjëherë nuk u plogështua vullneti i opojanëve për liri. Kam pas nderin dhe fatin të kem djemë dhe burra nga ky rajon. Djemtë e Opojës erdhën në Jeshkovë, ku ishte shtabi, ku edhe u rreshtuan në krahë të UÇK-së. Djemtë e kësaj treve u bënë pjesë e UÇK-së, nga Gorozhupi e deri në Koshare”, tha mes tjerash deputeti Berisha.
Për trimërinë e opojanëve foli edhe komandanti i Abdurrahmanit, koloneli Ruzhdi Saramati, i cili me admirim përmendi heroizmin e Abdurrahmanit dhe bashkëluftëtarëve të tjerë opojanë. Ai i ndau një mirënjohje nënës së dëshmorit, duke i dhënë zemër se, në vend të dhimbjes për humbjen e djalit, ajo duhet të krenohet me heroizmin e tijë.
Pas fjalimeve, ka vazhduar pjesa artistike, ku u promovua kënga më e re nga motrat Bujari, kushtuar heroizmit të Abdurrahman Gërdellajt. Këtë pjesë, me këngët e tyre, e madhështuan edhe këngëtarë të tjerë, si Zenel Zekolli, Nexhat Qusaj, Masar Sinani, Behxhet Korpuzi, si dhe në fund kumboi tupani dhe curlja opojane. E gjithë kjo ngjarje u transmetua drejtpërdrejtë nga – Radio Sharri.