Për nder të 28 Nëntorit “Luigj Gurakuqi” organizoi Orë letrare në Bellobrad

sezai surroi bellobradDragash, 27 nëntor 2014 – Klubi letrar “Luigj Gurakuqi” nga Opoja, në bashkëpunim me SHFMU-në “Sezai Surroi” në Bellobrad, kanë mbajtur një Orë të pasur letrare për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.
Aktiviteti është mbajtur në ambientet e SHFMU-së “Sezai Surroi” në Bellobrad, në prani të shumë nxënësve, arsimtarëve dhe krijuesve opojanë.
Në emër të kësaj vatre arsimore foli drejtori, Ziqiri Skenderi, i cili e vlerësoi lartë bashkëpunimin e shkollës me krijuesit e trevës së Opojës. Ndërkaq, në emër të krijuesve opojanë, anëtarëve të Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi”, foli poeti Ibrahim Skenderi, njëri ndër themeluesit e këtij klubi, duke potencuar rëndësinë e Ditës së Flamurit dhe rëndësinë e shënimit të kësaj feste. Ai i njohu të pranishmit me një historik të shkurtër të veprimtarisë së Klubit letrar, i cili në pranverën e vitit të ardhshëm mbush një çerek shekulli të veprimtarisë, me ç’rast pritet të botohet edhe një monografi.
Me krijimet e tyre letrare dhe deklamimin e poezive të ndryshme që kishin për temë Ditën e Flamurit, u paraqitën dhjetëra nxënës të SHFMU “Sezai Surroi” dhe krijuesit opojanë, Mirsat Kuteli, Demir Reshiti, Rizan Krasniqi, Mehmet Shala, Ibrahim Skenderi, Nexhat Ajdini dhe Bedri Halimi. Krijuesit me këtë rast dhuruan libra për bibliotekën e shkollës, për ç’gjë edhe u falënderuan nga drejtori, Ziqiri Skenderi.
Aktiviteti u përmbyll me disa valle të bukura që u interpretuan nga nxënësit e kësaj shkolle, e cila ka traditë për nga aktivitetet e lira, përpos rezultateve të mira që shënon në arsimimin e nxënësve.

Leave a Reply