Oficeri i FSK-së bën historinë për Ballkanin (Video)

ismajl hoxha fskLondër, 11 dhjetor 2015 – Pas 12 muajsh shkollim në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë së Madhe, oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismajl Hoxha, fitoi shpatën për oficer-kadetin më të mirë ndërkombëtar, duke u bërë përfaqësuesi i parë ushtarak nga Ballkani që merr një çmim të tillë.
Në ceremoninë e diplomimit, në Sandhurst, Hoxha pati nderin që nga Princi Charles, të pranojë këtë çmim. Bashkë me të, sot diplomuan edhe dy oficerë të FSK-së, Fitore Fazliu dhe Besfort Kruma. I pranishëm në ceremoni ishte edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Grajçevci. Pjesë e diplomimit ishin edhe një oficer nga Shqipëria dhe një tjetër nga Maqedonia. Numri i përgjithshëm i të diplomuarve, sot në Sandhurst, është 120.
Akademia Mbretërore Ushtarake Sandhurst, e vjetër 200 vjet, nxjerrë të diplomuar oficerë nga vende të ndryshme të botës. Aty mësojnë se si të përballen me operacione të ndryshme ushtarake dhe si të bëhen liderë të ardhshëm ushtarak. Prej aty dalin oficerë, të cilët pastaj janë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetën, për të mbrojtur vendin dhe ushtarët e tyre, raporton – KosovaPress.

• Shiko pamjet – VIDEO