Në Restelicë sërish alarm – Shëmbet masivi shkëmbor!

Në Restelicë sërish alarm – Shëmbet masivi shkëmbor!

Dragash, 27 nëntor 2021 – Fshati më i madh në komunën e Dragashit, Restelica, sërish është alarmuar, pas ngjarjeve të tmerrshme të vitit 2012. Kësaj radhe, rreziku po iu vjen nga shëmbja e një masivi shkëmbor, i cili ka shkaktuar dëme materiale, veçmas firmës “Niki GD”, të cilës ia ka mbuluar makineritë dhe materisalin me të cilin po sanon një rrugë aty pranë.
Nga informatat që na vijnë nga vendi i ngjarjes, mësohet se rreshqitjet e shkëmbinjve dhe të dheut kanë ndodhur rreth orës 19:00, tek Ura e sipërme e fshatit, aty ku fillon rruga drejt çarshisë së fshatit, rrugë kjo që aktualisht po sanohet nga firma “Niki GD”, firmë kjo që më së shumti e pësoi këtë fatkeqësi natyrore. Bageri, ruli dhe materiali i kësaj kompanie që ndodhej aty, mësohet të jenë mbuluar nga llava e shkëmbinjve dhe dheut, për të cilin banoret kanë frikë se nuk do të mbarojë me kaq. “Ekziston frika se shëmbja do të vazhdojë, pasi kjo pjesë është ngacmuar më herët dhe mund të jenë prishur damarët e këtij shpati”, thotë një banorë i këtij fshati, i cili shpreh frikën se muns të ndodhë edhe një katastrofë tjetër, pas asaj të vitit 2012, kur një ortek bore shkatërroi një familje të tërë.
Vlen të theksohet se Komuna Dragashit kishte financuar ndërtimin e një muri mbrojtës, por që sot u dëshmua se fuqia natyrore nuk ndalet vetëm me kaq. Ky mur nuk ka mundur ta mbajë peshën e masivit shkëmbor dhe banorët i frikësohen më të keqes.