Në Krushevë të Gorës u hodhën themelet për dy hidrocentralet e para

hidrocentrali gurthemeli krushevaDragash, 01 gusht 2014 – Në fshatin Krushevë, komuna e Dragashit, sot u vendos gurthemeli për ndërtimin e dy hidrocentraleve të para, nga gjithsejt gjashtë, sa është paraparë të ndërtohen sipas një projekti që do të përfundojë pas tre vjetësh. Gurthemeli u vendos për ndërtimin e dy hidrocentraleve të para “Brodi II” me kapacitet prodhimi 3.89 MW dhe “Restelica I” me kapacitet 2.28 MW.
Projekti i hidrocentraleve në lumenjt e Brodit dhe Restelicës, kap shumën rreth 15 milion euro dhe, sipas planit të paraparë, pritet të përfundojë për tre vjet. Në këtë ceremoni morën pjesë krerët e qeverisë lokale të Dragashit, si dhe ata nga qeveria republikane. Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, tha se ky projekt është tejet i rëndësishëm për komunën e Dragashit dhe për banorët e këtyre lokaliteteve. “Dobia do të jetë e shumfishtë edhe për stabilitetin e energjisë elektrike, infrastrukturës dhe mundësive më të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit malor në këto anë”, tha Jenuzi.
Përfaqësuesi i firmës “Eurokos JH”, e cila po investon në këtë projekt, tha se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve të vogla do të hap vende të reja pune, si dhe do të kontribuojë në parandalimin e migrimit të banorëve nga këto zona malore. Kjo firmë po garanton se prodhimi i energjisë do të jetë në nivelin e rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.