Në Dragash “Viva Fresh” i shet qeset me logon e vet!

Në Dragash “Viva Fresh” i shet qeset me logon e vet!

Dragash, 14 nëntor 2023 – Në Kosovë ka filluar aplikimi i pagesës nëpër markete, për disa lloje të qeseve plastike, pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ për “Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit“. Sipas asaj që ka njoftuar ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, qeset plastike prej 25 deri 50 mikron, vihen në treg me një çmim prej 5 cent e që paguhet nga konsumatori.
Aliu ka shtuar se, me këtë udhëzim ndalohet vendosja e logos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit në qeset plastike që do të paguhen nga konsumatori. Pavarësisht kësaj, banorët në komunën e Dragashit po ankohen se në Viva Fresh po ua shesin qeset me logon e këtij marketi, e që ky veprim bie ndesh me udhëzimin administrativ, i cili e ndalon shitjen e qeseve me logo, slogan apo markë të marketit.
Të pyetur nga redaksia jonë, nëse janë të vetëdijshëm se qeset më logo të marketit nuk lejohet të shiten, punëtorët në këtë market thonë se e dinë këtë por se ata detyrohen të veprojnë sipas diktatit nga shefat e tyre. “Natyrisht që e dimë por ne nuk kemi faj sepse kështu na thonë shefat”, tha një punëtor në marketin Viva Fresh në Dragash.
Sipas udhëzimit, për çdo qese plastike që paguhet nga konsumatori, duhet të evidentohet edhe në kuponin fiskal. Krejt kjo, sipas ministrit Aliu, ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Në një vizitë që iu bëri ditë më parë disa marketeve, përfshirë edhe një market “Viva Fresh”, kryeministri Kurti, duke folur për udhëzimin administrativ dhe specifikat e këshillat për qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve, tha se në kuadër të ndryshimeve ligjore për mbrojtjen e ambientit, ka dalë në terren për të dhënë detaje mbi këtë ndryshim. “E kemi parë të gjithë që vërshimet që janë shkaktuar në Kosovë na kanë nxjerrë në pah se sa shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin tuaj me këtë udhëzim të ri administrativ dhe me këtë fushatë”, ka thënë Kurti, duke iu bërë thirrje edhe marketeve që ta zbatojnë me përpikëri Udhëzimin Administrativ. Njëkohësisht, Kurti i ka ftuar qytetarët që kur të shkojnë të blejnë në markete, t’i marrim torbat me vete.