Mosuniteti shqiptar çon Ivanovin dhe Pendarovskin në balotazh

zgjedhjet ne maqedoniShkup, 14 prill 2014 – Të dielën, në Maqedoni kanë votuar 48.28 përqind e qytetarëve, nga 1.8 milionë qytetarë me të drejt vote.
Kandidati për kryetar të Maqedonisë, nga VMRO-DPMNE, Gjorgje Ivanov, dhe ai nga Lidhja Socialdemokrate, Stevo Pendarovski, do të garojnë në balotazh. Ky është rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni që u zhvilluan të dielën.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, për kandidatin e VMRO-së kanë votuar rreth 445 mijë votues, kundrejt 325 mijë votave që ka fituar kandidati opozitar, Stevo Pendarovski. Ndërkaq, Iljaz Halimi, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, ka marrë rreth 39 mijë vota. Ky rezultat i dobët është pasojë e mosunitetit të shqiptarëve në këtë shtet fqinj, të cilët vazhdojnë t’i mbajnë dy blloqe politike, ndonëse nuk e kanë këtë komoditet. “BDI nuk mori fare pjesë në zgjedhjet presidenciale. Pra, nuk kishte se ç’të humbiste. Ndërkohë, këta humbësit tragjik, e arsyetojnë debaklin zgjedhor me ‘kërcënime’ të elektoratit nga ana e BDI-së”, ka deklaruar deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ermira Mehmeti.