Mbrëmja festive kaloi më mirë se kurdoherë më parë!

Mbrëmja festive kaloi më mirë se kurdoherë më parë!

Prishtinë, 01 janar 2020 – Policia e Kosovës, bazuar në urdhrin operativ të përgatitur për festat e fundvitit dhe fillimvitin e ri, vlerëson se mbrëmja më e gjatë festive ka kaluar kryesisht e qetë dhe pa incidente madhore. “Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi i Policisë së Kosovës, ishte dhe do të vazhdojë të jetë ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale. Përveç tjerash, gjatë festës së fundvitit, pjesë e planit ka qenë shtimi i prezencës policore në trafikun rrugor, si dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme, ku janë mbajtur organizime festive. Gjatë natës së festës së vitit të ri, situata kryesisht ka qenë e qetë dhe me më pak incidente se sa që janë shënuar vitet e kaluara, përjashtuar disa incidente të raportuara në Policinë e Kosovës, që kryesisht kanë qenë lëndime të lehta trupore si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike, incident zjarri, armëmbajtje pa leje dhe dëmtim prone. Sa i përket sigurisë në trafikun rrugor, fatmirësisht nuk është evidentuar asnjë aksident me pasoja fatale, përveç atyre me dëme materiale dhe lëndime”, thuhet në raportin e sotëm të zyrës për Informim të policisë.