Madhështia e këtij viti në “Takimet Poetike të Karadakut”

Madhështia e këtij viti në “Takimet Poetike të Karadakut”

Kumanovë, 11 mars 2021 – Duke e sfiduar pandeminë dhe me ndjesinë e rikthimt në jetën normale, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot organizoi edicionin e 29-të të manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”. I pari që u ngjit në skenë ishte poeti dhe aktori, Ali Qerimi, i cili edhe e drejtoi këtë orë të madhe letrare, ku morën pjesë shumë poetë nga trojet etnike shiptare, si Ejup Ajdini, Ismail Baftjari, Burhanedin Xhemaili, Gerta Bandilli, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Sarë Gjergji, Leonora Bruçaj Keka, Flora Peci, Farida Ramadani, Marinela Sela, Sermet Sulejmani, Selvete Abdullahu, Arsim Halili, Ismail Ganiu, Rexhep Bajrami, Etem Xheladini, Selajdin Shabani, Sunaj Raimi, Adem Abdullahu, Arta Selmani, Shpresa Jashari, Emra Bilalli, Era Qerimi, si dhe Osman Bojaxhiu nga komuna e Dragashit. Manifestimin e përshëndeti edhe poetja maqedonase, njëherësh kryetare e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Atina Murgashanska, e cila tha se po kënaqej me zërin magjepsës të poetëve, për të cilët tha se, ndonëse nuk e kupton mirë shqipen, po e ndien në zemër domethënien e vargjeve të tyre.
Në fund të recitimeve, juria letrare, në përbërje të Eris Rusit – kryetar, Daim Ilazit dhe poetes nga Prizreni, Rabie Bytyqi – anëtarë, me vendin e parë, çmimin “Fadil Bekteshi”, laureoi shkrimtarin nga Kumanova, Burhanedin Xhemailin, i cili recitoi poezinë “Në ëndërr”. Vendi i dytë iu nda poetit, Ejup Ajdini, nga Tetova, i cili recitoi poezinë “Lot gjaku nën dritën e hënës”, dhe me vendin e tretë u vlerësua poetja, Leonora Bruçaj – Keka, nga Prishtina, e cila prezantoi poezinë “Vitor i andrrës t’eme”.
Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe promovimi i botimeve të fundit nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, për të cilat, në pika të shkurtëra, foli promotori dhe redaktori i tyre, Sevdail Demiri, i cili për revistat “Doruntina” (nr. 58 dhe 59), librin “Kulla jonë” (Panoramë e poezisë kumanovare), “Përtej heshtjes” (poezi), nga Selajdin Shabani, dhe librin “Aforizma pragmatikë” nga Sunaj Raimi, tha se janë vlera të cilat duhet t’i lexojë çdo shqiptarë. Poashtu, u promovua edhe libri autorial, trilogjia “Vallja e vdekjes së verdhë” nga Nehas Sopaj, për të cilin një recension e paraqiti kritiku letrar, Burhanedin Xhemaili.
Vlen të përmendet se ky manifestimi tradicional u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht nga komunat e Kumanovës dhe Likovës.