Thaçi: Qeveri stabile, ose shkojmë në zgjedhje!


hashim_thaci_ultimatumPrishtinë, 07 nëntor 2014 – Kryeministri në detyrë dhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, thotë se zhvillimet e fundit politike tregojnë se gjendemi në fazën përmbyllëse të tejkalimit të ngërçit politik, sipas tij, të krijuar në mënyrë arbitrare nga veprimet e nxituara dhe antikushtetuese të bllokut opozitar. “Zgjidhja që ndodhet para nesh, mbi gjithçka tjetër kërkon maturi politike. Dhe, unë dua të besoj se ne, si liderë, patjetër duhet të sillemi në mënyrë të tillë. Nuk ka më kohë për eksperimente amatoreske politike, por tani është momenti të materializojmë vullnetin e qytetarëve, të shprehur në zgjedhjet e lira”, ka shkruar Thaçi, në faqen e tij në Facebook, duke shtuar se tani ka dy opsione të vetme, që duhet marrë në konsideratë seriozisht dhe shpejt. “Opsioni i parë dhe më i mirë është që të ulemi bashkë, ashtu siç ka kërkuar edhe Presidentja e Kosovës dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin dhe qytetarët tanë, të lodhur nga pritja. Ndërsa, opsioni i dytë është që të ulemi përsëri bashkë dhe të vendosim, se kur ta caktojmë daten për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme. Zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara nuk do të ketë, sepse Kosova dhe qytetarët tanë duan qeveri legjitime, efikase dhe stabile. Unë rikonfirmoj edhe një herë se të gjitha veprimet e ardhshme të PDK-së, si parti fituese, do të jenë në përputhje me ligjin, kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.