Sot përsëri protesta në Shkup – Dje u arrestuan 20 të rinj!


protesta shqiptaret maqedoniShkup, 05 korrik 2014 – Sot në Shkup është paralajmëruar se do të ketë sërish protesta, madje më të fuqishme se ato që ndodhën një ditë më parë. Organizatorët kanë paralajmëruar se do të protestojnë, deri në lirimin nga burgu të gjashtë shqiptarëve, të cilët u dënuan me burg të përjetshëm. Ndërkohë, të arrestuar mbeten edhe 20 të rinj shqiptarë që u kapën dje nga policia maqedonase, gjatë protestave.
Lidhur me ngjarjet e djeshme, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, duke vlerësuar se “dhuna e ushtruar nuk ndihmon në zbardhjen e çështjes, por i dëmton marrëdhëniet ndëretnike dhe harmoninë midis komuniteteve”. Ndërkohë, ish-kryeministri, Sali Berisha, është shprehur se shqiptarët në Shkup po përballen me dhunë dhe terror nga “ekstremistët albanofob maqedonas dhe autoritetet policore të këtij vendi”.
Sot kanë reaguar edhe përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup, të cilat kanë bërë thirrje për ndërprerjen e kësaj gjendje. “I bëjmë thirrje qytetarëve dhe liderëve të shtetit që të bashkohen dhe, në frymën e dialogut konstruktiv, t`i adresohen çështjeve që minojnë mirëkuptimin reciprok dhe marrëdhëniet ndëretnike. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe t’i shprehin pikëpamjet e tyre, në mënyrë paqësore. Por, assesi të përfshihen në akte destruktive dhe të dhunshme”, thuhet në reagimet e ambasadës së SHBA-së, delegacionit të  Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe misionit të  NATO-s në Shkup.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare në Maqedoni, ende nuk janë deklaruar. Ata kanë mbyllur gojën dhe janë bërë spektatorë të ngjarjes, duke shtuar kështu revoltën e shqiptarëve në këtë shtet fqinj, të cilët po kërkojnë që të ndalet dhuna që “po e ushtron policia ndaj protestuesve shqiptarë”.