Rrufeja godet dy vëllezër në Opojë – Njëri prej tyre pëson!


rrufeja mbyt njeriunDragash, 05 gusht 2014 – Pasditen e sotme, rrufeja e ka mbytur një person nga fshati Pllajnik, komuna e Dragashit, ndërsa vëllai i tij i ka shpëtuar kësaj fuqie natyrore, vetëm me lëndime të lehta.
Dy vëllezërit kishin dalë për ta kërkuar vëllain, i cili është zhdukur që nga 30 korriku dhe ende nuk dihet gjë për fatin e tij. Mirëpo, në mes të malit kishte filluar një rrebesh i madh shiu, i shoqëruar edhe me bubullima.
Teksa ishin të hipur mbi mushkat e tyre, një rrufe e fuqishme i ka goditur, ku për pasojë, A. Çengaj (37), ka mbetur pa shenja jete ndërkaq i vëllai, pas ca kohësh, është zgjuar vetëm me lëndime të lehta.
Pa shenja jete kanë mbetur edhe mushkat e tyre, njoftojnë organet kompetente në Dragash, ku mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e 37-vjeçarit. Trupi i viktimës ndodhet në QKMF-në e Dragashit, në pritje për tu shpënë në Prizren, ku dhe do t’i bëhet obduksioni. Pas vetës, i ndjeri ka lënë bashkëshorten dhe 4 fëmijë.