Lajm i mirë për Albresa Gashin – Paratë janë gati!

dorezimi parate albresaDragash, 04 shtator 2015 – Pas tre javësh, që kur publikuam lajmin për rastin e Albresa Gashit, e cila po priste mjete financiare për ndërhyrje kirurgjike në zemër, sot u rrumbullakua shuma e kërkuar dhe menjëherë kanë filluar përgatitjet për ta shpënë atë në duart e mjekëve, të cilët janë zotuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme për jetën e kësaj vajze 17-vjeçare, nga fshati Brezne e Dragashit.
Përpos dashamirëve që kanë derdhur mjete në llogarinë bankare, si dhe atyre që e kanë ndihmuar Albresën me para të gatshme, shumën më të madhe e kanë tubuar vëllezërit Blerim, Bekim, Gjelbrim, Shkodran dhe Vigan Hyseni, djemtë e mësuesit të ndjerë, Hilmiut, nga fshati Brezne.
Sapo kishin lexuar lajmin tonë, dy djemtë e Hilmiut, Gjelbrimi dhe Vigani, kanë kontaktuar me vëllezërit e tyre në Kosovë për ta vërtetuar kërkesën publike të babait të Albresës dhe, menjëherë kanë organizuar aksionin për tubimin e mjeteve financiare tek bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Fillimisht, ata kanë formuar një ekip i cili do ta menaxhonte aksionin, në përbërje prej katër anëtarësh; Muhamet Vezaj dhe Xhemil Kurtaj nga Zhuri, Avdi Musliaj nga Billusha dhe Shani Gashi nga Brezna.
Për dy javë, ata kanë tubuar rreth 13 mijë e 500 euro nga bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Ndërkaq, pjesën tjetër prej 4 mijë eurosh, që nevojitet për ta plotësuar shumën e kërkuar, vëllezërit Hyseni e kanë ndarë sot, pasi në llogarinë bankare dhe nga ndihmat me para të gatshme, nuk ishin tubuar më shumë se 3 mijë e 500 euro. Në total, shuma prej 20 mijë eurosh që është kërkuar përmes njoftimit publik në Radio Sharri, është plotësuar, madje edhe tejkaluar. Mjetet i janë dorëzuar sot familjes së Muhametit, nën mbikëqyrjen e një komisioni nga fshati Brezne, i cili do t’i menaxhoj ato deri në kurimin e plotë të Albresës. Menaxhimi do të bëhet edhe nga babai i Albresës, si dhe njëri nga djemtë e Hilmiut.

Leave a Reply