Kuvendi i Dragashit përmes një deklarate e kundërshton specialen!

Kuvendi i Dragashit përmes një deklarate e kundërshton specialen!

Dragash, 21 korrik 2020 – Me vetëm një votë kundër nga këshilltari i vetëm i VV-së, Laurat Krasniqi, Kuvendi i Komunës së Dragashit e ka votuar një deklaratë, përmes së cilës e ka kundështuar Propozim-Aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj kryetarit të shtetit, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së.
Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, e cila u thirr me kërkesën e nëntë anëtarëve të Kuvendit, u miratua deklarata, në të cilën vlerësohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç thuhet në deklaratë, e drejtë dhe e përkrahur nga forcat e NATO-s, e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në deklaratë dënohet publikimi i njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për aktakuzën ndaj dy liderëve kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, duke shprehur bindjen për pafajësinë e tyre. “Lufta për çlirim ka qenë luftë e drejtë dhe pjesëtarët e UÇK-së janë heronjtë tanë, të cilët deri më tani janë ballafaquar me shumë sfida dhe tentativa të pareshtura për etiketim e njollosje. Agresori i vërtetë është Serbia dhe kriminelët e vërtetë duhet kërkuar përtej kufirit”, thuhet mes tjerash në deklaratë, të cilën e përkrahën edhe këshilltarët e minoritetit boshnjakë nga subjekti politik Vakat.