Kuqezinjtë deponojnë edhe një pikë – Vërshojnë komentet!


elbasan arena albaniaElbasan, 11 tetor 2014 – Kombëtarja jonë nuk arriti të arkëtojë pikët e plota, përballë Danimarkës, në ndeshjen e dytë kualifikuese për Euro 2016. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte në i pranishëm në stadium, menjëherë pas ndeshjes e ka komentuar rezultatin, duke shprehur një dozë dëshpërimi që kuqezinjtë nuk arritën ta ruajnë epërsinë që kishin, pothuajse gjatë gjithë lojës. “Gjynah të barazosh ndeshjen që e ke në dorë. Sidoqoftë, respekt kuqezinjve për një tjetër rezultat të pazakonshëm”, ka komentuar Rama. Komentet kanë pasuar në rrjetet sociale edhe nga tifozët e shumtë, të cilët kanë shprehur dëshprim për golin e barazimit që morën kuqezinjtë. “Nuk është se nuk ka futbollistë të talentuar Shqipëria, vetem që secili prej tyre e sheh lojën si lojë golfi, krejtësisht individuale! Dikush mund t’ua shpjegojë futbollistëve, që kjo lojë luhet në grup”, ka shkruar një tifoze, duke ironizuar edhe zonjën Meri, e cila kishte parashikuar Danimarkën si favorite.
Një tjetër koment që vlen për ta cituar, është edhe etiketimi për disa lojtarë kuqezinj. “Hysaj, Agolli, Kukeli, Abrashi, Lila, (e posaçërisht Cikalleshi), nuk ishin lojetarë për ndonjë përfaqësuese. Nuk di se si kanë arritur këta në Kombëtare”, ka shkruar ky tifoz, i cili ka marrë edhe një përgjigje në këtë konstatim, nga një tifoz tjetër. “Presioni për fitore, e bëri të vetën. Ndoshta shumica nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin, por edhe një pikë është e mjaftueshme, pasi në sekondat e fundit kemi mundur të mbesim duarbosh”, e ka arsyetuar ky tifoz barazimin e rezultatit.
Në takimin e vlefshëm për Grupin e Parë, që u zhvillua në Elbasan, kuqezinjtë patën epërsinë deri në dhjetë minutat e fundit të sfidës, mirëpo nuk u mbajtën deri në fund. Ekipi ynë e filloi vrullshëm takimin, duke rrezikuar portën kundërshtare disa herë. Me kalimin e minutave, mysafirët e balansuan ndeshjen.
Në pjesën e parë nuk pati shumë raste shënimi nga të dyja palët, megjithatë shqiptarët ia dolën të shënojnë. Ermir Lenjani ishte futbollisti që u tregua fatal për danezët, me një goditje që u ndal në rrjet, në minutën e 38-të. Mysfairët u angazhuan në gjysmën e dytë, duke bërë presion drejt portës së Berishës, ndërkohë që Shqipëria bënte lojë më të dobët.
Cana e shpëtoi një gol të sigurt, duke e përplasur topin në shtyllë, ndërkohë që Lenjani dhe të tjerët rrezikuan në anën tjetër të portës. Mirëpo, atëherë kur nevojitej përqendrimi më i madh i vendasve, portieri dhe mbrojtja bënë një gabim, të cilin e shfrytëzuan danezët dhe, pas një depërtimi të Bendtner Lasse Vibe, barazohet rezultati. Pas dy xhirove të para, Shqipëria ka katër pikë, po aq sa edhe Danimarka, me të cilën ndanë kreun e grupit të Parë.