Dragash, 19 maj 2014 – KF “Opoja” dje luajti ndeshjen e fundit në terrenin e vet, për këtë sezon. Ndonëse pritej një ndeshje e veçantë për Opojën, për shkak se ajo ishte e pajisur për herë të parë me veshmbathje sportive, në të cilat dukej qartë logoja dhe emri i klubit, si dhe prezenca e të gjithë atyre që kanë kontribuar për klubin e vetëm të Dragashit, gjërat nuk shkuan aq bukur.
Në ndeshjen e fundit të sezonit 2013/2014 në fushën e vet, Opoja pritet t’i ketë marrë pikët maksimale, pasi ekipi mysafir, “Liria” nga Milosheva, braktisi lojën pas mospajtimeve të shumta me gjykatësin e takimit. Ishte kapiteni i mysafirëve, i cili filloi konfliktin verbal me referin, kur ky i fundit i shqiptoi kartuçin e verdhë. Më vonë, iu desh referit që t’i shqiptoj të njëjtit edhe kartuçin e kuq, pasi ky i fundit protestoi ashpër kundër shqiptimit të kartuçit të kuq, njërit nga lojtarëve të tij.
Këtu edhe plasi sherri, ku referi u sulmua edhe fizikisht, jo vetëm nga lojtarët mysafirë, por edhe nga stafi drejtues i këtij klubi. U desh ndërhyrja e policisë për ta qetësuar situatën, si dhe intervenimi i nikoqirëve, të cilët bënë ç’mosë për ta rifilluar ndeshjen, e cila ishte në minutat e fundit të pjesës së parë dhe rezultati ishte i barabartë 1:1. Pavarësisht kësaj, ekipi mysafir nuk pranoi të vazhdonte lojën dhe lojtarëve iu dha urdhri që të zhvishen.
Bazuar në gjithë këtë ngjarje, pritet që verdikti nga FFK-ja të jetë në favor të Opojës. Krerët e kësaj të fundit, i kanë thënë Radio SHARRI-t, se nuk ka diskutim që verdikti do të jetë 3:0 për Opojën.